Bota

Sulmi në Sydney të Australisë, policia: 6 viktima/Agresori u vra!

Gjashtë persona u vranë dhe disa të tjerë janë në gjendje serioze, përfshirë një fëmijë në një sulm me thikë, në një qendër tregtare në Sydney të Australisë. Pas informacioneve të para kontradiktore, bilanci i viktimave konfirmohet zyrtarisht nga policia. Autoritetet thanë se agresori u qëllua për vdekje ndërsa më herët u raportua se një person tjetër u arratis, por ky informacion nuk rezultoi i vërtetë.

Zyrtari i forcave të rendit, Anthony Cooke doli në një konferencë për media e deklaroi se i dyshuari goditi me thikë nëntë vetë teksa lëvizte në qendrën tregtare. Cooke saktësoi se ai e kreu sulmin i vetëm dhe nuk paraqet më rrezik publik. I pyetur nga gazetarët për motivet, bëri të ditur se janë duke u kryer hetime.

Cooke shtoi se një efektive e vrau agresorin.

Ajo u përball me sulmuesin… teksa e ndoqi duke vrapuar pas tij për ta kapur. Kur u kthye me fytyrën përballë saj, ngriti thikën. Por, efektivja e qëlloi me armë zjarri duke e lënë të vdekur në vend.

Në disa pamje të publikuara më herët në rrjetet sociale, u panë disa viktima, si dhe një burrë me një thikë të madhe në duar. Turma njerëzish kanë ikur prej qendrës tregtare dhe njerëzit u udhëzuan të shmangnin zonën ku shkuan autoambulanca e shumë makina të policisë.

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, shprehu ngushëllimet e tij për viktimat e sulmit me thikë në qendrën tregtare në Sydney.

U informova për sulmin në Bondi Junction. Tragjikisht raportohen viktima të shumta dhe mendimet e para të të gjithë australianëve janë me të prekurit e të dashurit e tyre. Zemrat tona drejtohen për nga të lënduarit dhe falënderojmë ata që kujdesen për ta. Falënderojmë edhe policinë tonë të guximshme e reaguesit e parë!

Kryeministrja në detyrë e Uellsit të Ri Jugor, Penny Sharp:

Jam tronditur nga lajmet për viktima të shumta në një sulm me thikë në Westfield në Bondi Junction. Mendimet e mia dhe ato të qeverisë janë me viktimat, familjet e tyre e reaguesit e parë. Po ashtu, me ata që mund të kenë qenë dëshmitarë të këtyre ngjarjeve të tmerrshme.