Politikë

Akuzohet se përfitoi 1.2 mln euro në inceneratorin e Fierit, Lefter Koka dëshmon në SPAK: Zbatova procedurat, gjejini ju të kujt janë shoqëritë që morën paratë

Për rreth 3 orë e 30 minuta ish ministri Lefter Koka ka dëshmuar në SPAK lidhur me inceneratorin e Fierit, ku akuzohet se ka përfituar 1.2 mln euro. Në dëshminë e tij, para prokurorëve Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, Koka tha se nuk ka asnjë lidhje me këtë aferë, se ai i ka zbatuar të gjitha procedurat dhe se nuk ka përfituar asgjë nga shoqëritë e inceneratorit të Fierit pasi nuk i njeh. Se kush i ka marrë paratë, për ish ministrin duhet ta gjejë SPAK se të kujt janë shoqëritë që kanë marrë lekët.

Lidhur me procedurat për shpronësimin nga ‘tokë arë’ në ‘tokë truall’, tha se ajo pronë nuk është trajtuar kurrë si truall por si tokë are e shpronësuar.

Një nga pyetjet e prokurorëve lidhej me procedurën e tenderit të inceneratorit të Fierit se pse nuk ishte bërë ndërkombëtare, por për Kokën ligji ynë nuk e parashikon një gjë të tillë.

“Kam zbatuar procedurat e ngritura nga komisioni. Ligji ynë për koncesionet se parashikon që të botohet në fletoren e prokurimeve europiane. Tokën e shpronësuar për Inceneratorin e Fierit nuk e kemi trajtuar kurrë si ’tokë truall’ por si ‘tokë are në shpronësim’. Nuk kam asnjë lidhje me pronarët e tokës. Tre shoqëritë e inceneratorit të Fierit që përflitet se kam marrë lekë nuk i njoh, gjejini ju se të kujt janë shoqëritë që kanë marrë lekët”, tha Koka.

Ish-ministri Lefter Koka akuzohet nga SPAK se ka përfituar rreth 5 mln euro nga inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit. Lefter Koka akuzohet për shpërdorim të detyrës, pastrim të parave dhe korrupsion, ku përmes faturave tatimore fiktive nga kompani të treta të lidhura me ish-ministrin, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer. Kjo pagesë, iu dha Kokës si shpërblim për favorizimin që i bëri 2 kompanive për të lidhur kontratën e koncensionit.

SPAK ka sekuestruar kompanitë “Albtek Energy”, “Integrated Technology Services” si edhe aksionet e Kokës në “Kantinën e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu”.

Ditën e djeshme dha dëshminë e tij ish-deputeti socialist, Alqi Bllako i cili mohoi që të ketë rol vendimmarrës te inceneratorët, duke deklaruar se detyra e tij ka qenë vetëm të përcjellë shkresën për miratim te Këshilli i Ministrave.