Bota

52 ditë luftë, Zelensky: “Bota të përgatitet për kërcënimin bërthamor rus!”

Dita e 52-të e agresionit rus në Ukrainë dhe sirenat e alarmit që sinjalizojnë sulme ajrore, ranë sërish në Kiev e gjithashtu në qytete të tjera në rajonet qendrore, lindore e jugore të vendit, mes tyre Dnipropetrovsk, Kryvyi Rih, Zaporizhzhia, Cherkasy, Donetsk, Odessa, Kharkiv, Poltava e Mykolaiv. Ushtria ukrainase njofton se në 24 orët e fundit, zmbrapsi 10 sulme të rusëve në Donetsk e Lugansk, duke shkatërruar tre tanke, një automjet të blinduar për transportin e trupave, dy makina dhe tre sisteme artilerie.

“Të gjithë të jemi gati për kërcënimin bërthamor rus”. Janë këto fjalët e presidentit Zelensky në një intervistë për CNN-in. Ai u shpreh se si baba, nuk arrin të shohë shkatërrimin e vendit, pasi do të donte hakmarrje e të vriste, por si president duhet të bëjë më të mirën e mundshme derisa lufta të përfundojë. Sipas Zelensky-t, në luftime janë vrarë 2 mijë e 500 deri në 3 mijë ushtarë ukrainas e të plagosurit janë rreth 10 mijë, por shtoi se “vështirë të thuhet sa prej tyre do të mbijetojnë”. Për viktimat në radhët e civilëve u shpreh se “është edhe më e vështirë të përcaktohet sa janë”.

Në vlerësimet e Ministrisë britanike të Mbrojtjes, “dëmet në infrastrukturën e transportit në Ukrainë nga ana e rusëve, përbëjnë një sfidë domethënëse nga pikëpamja logjistike. Kjo për dërgimin e ndihmave humanitare në veri të vendit.

Rusët shkatërruan ura, përdorën mina tokësore dhe lanë mjete të braktisura në mes të rrugëve kyçe ndërsa tërhiqeshin nga rajoni. Në Chernihiv u shkatërruan ura që shërbenin për të kaluar lumin.

Në Sievierodonetsk të Ukrainës, 70% e qytetit u shkatërrua nga bombardimet ruse dhe aty kanë mbetur vetëm 20 mijë nga 135 mijë banorë që ishin më parë. Sievierodonetsk gjendet në perëndim të rajonit lindor Lugansk, në kufirin me Rusinë. Uashingtoni iu përgjigj Moskës që kërcënoi me “pasoja të paparashikueshme” nëse Shtetet e Bashkuara dërgonin ndihma ushtarake në Ukrainë, siç edhe po bëjnë.

Departamenti i Shtetit i rikujton Rusisë se u paralajmërua me “përgjigje të paprecedentë” nëse do të pushtonte Ukrainën, gjë që e konkretizoi më 24 shkurt.