Aktualitet

Futbollistet humbin ndjenjat në fushë, ndërpritet ndeshja!

Ndërpritet pa u mbyllur ende pjesa e parë, ndeshja e sotme e futbollit të femrave mes Partizanit dhe Bilishtit.  Të gjithë të pranishmit janë përfshirë nga ankthi pasi disa  futbolliste të Bilishtit kanë pësuar gjendje të fikti në fushë ndërkohë që po luanin.

Delegati i ndeshjes, Endi Hyka, menjëherë ka urdhëruar ndërprerjen e lojës dhe ka njoftuar për ardhjen e ambulancave të tjera për të qenë në gatishmëri në këtë situatë të pazakontë. Dyshohet se lojtaret e Bilishtit janë helmuar nga ushqimi që kanë konsumuar, por kjo ende nuk është konfirmuar

Në momentin e ndërprerjes, Partizani po fitonte me shifrat 5-0.

Ndërkohë  ka reaguar edhe Federata Shqiptare e Futbollit, e cila bën me dije se pasi janë dërguar në spital dhe kanë marrë mjekimin e nevojshëm futbollistet janë larguar.

Njoftimi i FSHF-së:

Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të sqarojë dramën e klikimeve të krijuar ditën e sotme në lidhje me ndeshjen Partizani-Bilisht Sport, e vlefshme për javën e parafundit të Kampionatit Kombëtar të Futbollit të femrave.

Gjatë zhvillimit të ndeshjes së vlefshme për javën e 21 të kampionatit, 3 vajza të ekipit juglindor kanë shfaqur gjëndje të fikti. Menjëherë vajzat janë shoqëruar në spital me ambulancë, e sjellë nga klubi pritës, KFF Partizani, që kanë qëndruar sëbashku me delegatin e ndeshjes, pranë vajzave. Tre futbollistet pasi kanë kryer analizat e nevojshme kanë lënë ambientet e Spitalit.

I bëjmë thirrje të gjithë mediave që të jenë shumë të kujdesshme në raportimin e ngjarjeve të tilla, duke parë që kanë të bëjnë me emocione të lojtareve, prindërve dhe të afërmëve të tyre. Në garën ekskluzive të klikimeve duhet të tregojmë së paku humanizëm dhe profesionalizëm.