Sport

Abissnet Superiore, sot luhen Tirana-Kastrioti e Dinamo-Teuta!

Java e 12-të e Abissnet Superiore rezervon përballjen e dy skuadrave që renditjen në skajet e klasifikimit, mes Tiranës kryesuese dhe Kastriotit të vendit të fundit. Bardheblutë do të kërkojnë fitoren e dytë radhazi, pas suksesit me Egnatian, por trajneri Shehi duhet të bëjë pa Najdovskin, Xhixhën e Përgjonin, të cilët janë të dëmtuar. Me një rezultat pozitiv, 25-herë kampionët do të tentojnë shkëputjen, nëse rivalët nuk i bëjnë gjërat siç duhet.

Kastrioti në anën tjetër ka treguar rendiment shumë larg pritshmërive, teksa regjistroi 4 humbje radhazi, ndërsa suksesin e fundit e të vetëm në këtë sezon e ka marrë ndaj Skënderbeut, në mesin e nëntorit. Armando Rami nuk do të jetë në dispozcion të trajnerit Ndreu, për shkak se në takimin me Kukësin mori dhe kartonin e katërt të verdhë.

Me 21 gola të shënuar, Tirana ka sulmin e dytë më të mirë, ndërsa në anën tjetër është Kastrioti që ka mbrojtjen më të brishtë, për shkak se në 11 javë kanë pësuar 22 gola, më shumë se askush tjetër.

Ndërkaq, në “Elbasan Arena” do të luhet një nga ndeshjet më të rëndësishme të javës së 12-të, Dinamo-Teuta. Të dyja skuadrat nuk po kalojnë një moment të mirë në kampionat, duke humbur ndjeshëm kontaktet me kreun.

“Blutë” e kryeqytetit do të provojnë të harrojnë atë humbje të thellë ndaj Laçit me rezultatin 5-0, ndërsa në krahun tjetër, Teuta e Arapit  kërkon suksesin e plotë. Dinamo ka koleksionuar vetëm 1 fitore në 5 javët e fundit, atë ndaj Kastriotit. Barazimi ndaj Vllaznisë nuk është i mjaftueshëm për të karikuar të besuarit e Arapit, pasi Teuta nuk shfrytëzoi superioritetin numerik, duke lënë pikë përballë një kundërshtari direkt. Një sfidë ku Teuta sheh rikthimin e Aleksit, por sërish nuk do të jetë e plotë, pasi Asion Daja mungon për kartona, duke humbur duelin me Dinamon. Të dy takimet nisin të luhen në orën 16:45.