Sport

Abissnet Superiore, sot Tirana-Kastrioti, Kukësi-Teuta e Vllaznia-Egnatia!

Me tre përballje, sot në Abissnet Superiore mbyllet Java e 31-të e muajit prill. Fillimisht, në orën 15:00 nisin të luhen dy takimet që janë Tirana-Kastrioti e Kukësi-Teuta. Tirana pret Kastriotin e vendit të fundit, por “të uritur” për pikë mbijetese. Kjo pritet që të jetë një përballje shumë e luftuar për të dyja skuadrat edhe sepse bardheblutë vijnë në një moment shumë pozitiv.

Edhe Kukësi e Teuta janë në një moment kyç të sezonit. Vetëm dy pikë i ndajnë skuadrat në klasifikim, aktualisht me verilindorët në zonën play-off të mbijetesës. Një fitore për ta do të bënte rokadën në klasifikim, por ky parashikohet të jetë një 90 minutësh shumë i vështirë për të dyja skuadrat.

Sot në orën 18:00 do të fillojë sfida përmbyllëse e Javës së 31-të të Abissnet Superiores e që është Vllaznia-Egnatia. Barazimi 1-1 të mërkurën dhe pozitat në klasifikim për të dyja skuadrat, këtë duel e bëjnë shumë të ekuilibruar e me pikëpyetje të mëdha.

Një ditë më parë u luajtën ndeshjet Bylis-Laçi 0-2 dhe Erzeni-Partizani 1-2. Laçi u rikthye te suksesi, kësaj here duke mposhtur në transfertë Bylisin me rezultatin e pastër 2-0. Për skuadrën e Nicës, realizuan Bibo dhe Babatunde. Me këtë fitore, kurbinasit janë të katërtit në renditje, para Vllaznisë me një pikë më pak. Ndërkaq, Bylisi mbetet i parafundit në Superiore.

Nga stadiumi “Niko Dovana”, skuadra e teknikut Colella doli me një sukses 1-2 ndaj Erzenit, maturuar në pjesën e dytë, të cilën e mbyllën me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të Sotës. Penalltia e Kahrimanoviç erdhi shumë vonë që shijakasit të shpresonin për më shumë. Gabimet kushtojnë dhe të kuqtë e kishin të qartë situatën, duke luajtur një ndeshje të kujdesshme, për të mos pësuar.