Sport

Vllaznia mposht Dinamon dhe ngjitet e dyta, Laçi i merr pikë Tiranës!

Egnatia ka një tjetër skuadër që shpreson t’i marrë vendin e parë në përfundim të sezoni të rregullt: Vllazninë.

Skuadra shkodrane fitoi 0-1 në “Niko Dovana” përballë Dinamos, duke shtuar tri pikë shumë të vlefshme për të lënë pas Partizanin, që pas humbjes me Skënderbeun mbetet në kuotën e 40 pikëve.

Golin që vendosi takimin me blutë e realizoi Alivoda në minutën e 28-të. Dinamo, edhe pse e kishte kohën e duhur në dispozicion për të ndryshuar rezultatin, nuk ia doli të gjente rrjetën, madje në shtesë mbeti me një lojtar më pak.

Laçi bën befasinë përballë Tiranës në “Elbasan Arena”, ku edhe pse luajti me një lojtar më pak që nga minuta e 19-të (u ndëshkua me të kuq Paulo Junior), ia doli të shmangte humbjen.

Golin e parë e shënuan bardheblutë me Regi Lushkjen, në minutën e 53-të, por në të 78-tën Myrtja, i sapofutur në lojë, shfrytëzoi një top të mbetur në zonën e Tiranës duke mposhtur portierin Kozi.

Laçi me këtë barazim mbetet ende në lojë për vendin e katërt, që mbahet nga Tirana (35 pikë) me pesë pikë më shumë se kurbinasit.