Aktualitet

Afati i certifikatës elektronike, problem për biznesin e vogël!

Afati i vlefshmërisë së certifikatës elektronike të fiskalizimit është kthyer në shqetësim për biznesin e vogël. Në pamundësi për të kryer online tarifën për certifikatën e elektronike, tregtarë të vegjël ngrejnë shqetësimin se afati 10 ditor për tërheqjen po i penalizon. Certifikata elektronike ka afat vlefshmёrie 1 vjeçare, me njё kosto prej 4,000 Lekёsh dhe është një nga elementët e domosdoshëm pёr Fiskalizimin. Ajo është e lidhur në mënyrë unike me biznesin dhe portalin SelfCare.

Nga janari i këtij viti, bizneset që paguajnë online, me kartë debiti ose krediti për marrjen e shërbimit, pajisen me certifikatën elektronike të fiskalizimit brenda vetëm 60 minutave. Nga kjo procedurë e thjeshtuar nuk përfitojnë bizneset, që gjatë aplikimit për certifikatë elektronike zgjedhin opsionin e pagesës nëpërmjet shkarkimit të mandat pagesës, për të vijuar fizikisht në bankë. Për këto aplikime, sikurse edhe aktualisht, biznesi, përmes e-Albania, do të pajiset online me certifikatën elektronike të fiskalizimit brenda 10 ditësh pune, si pasojë e punës manuale nga stafi.

Afati 1 vjeçar i vlefshmërisë së certifikatës elektronike penalizon bizneset e vogla. Për “Monitor”, një nga drejtuesit e një biznesi të vogël në Tiranë, shprehet:

Aktualisht kam aplikuar nga e-Albania, pasi nuk kisha mundësi financiare për aplikim online dhe me duhet të pres 10 ditë derisa të gjenerohet certifikata. Në këtë situatë e kam të pamundur të lëshoj fatura.

Për shkak të ngarkesës së punës jo të gjithë bizneset mund të arrijnë të ndjekin në kohë vlefshmërinë e afateve. Të paktën pas aplikimit të lejohet një afat 1 apo 2 muaj pritjeje, por pa bllokuar aktivitetin e biznesit.

Afati i certifikatave elektronike së fiskalizimit paraqet problem edhe për kontabilistët. Instituti i Kontabilistëve të Miratuar të Shqipërisë (IKM) në raportin “Sfidat dhe problemet e evidentuara dhe që duhej të përballoheshin nga AT dhe nga tatimpaguesit”, propozon që afati të bëhet 5 vjeçar dhe në rast të skadimit të këtij afati të jepet afat 1 mujor për rinovimin, pa u ndërprerë fiskalizimi.

Sipas të dhënave të DPT, prej datës 1 Janar 2021 deri me 18 Maj 2022, rreth 82% e bizneseve të vogla janë të pajisur me certifikatë elektronike për fiskalizimin. Janë 74,647 tatimpagues të vegjël aktivë të pajisur me certifikatë fiskalizimi nga 92,000 që është totali i biznesit të vogël aktiv. Nga nisja e fiskalizimit deri në maj, janë fiskalizuar 70% e totalit të bizneseve aktive. Nga 118,953 që është totali i bizneseve aktive sipas të dhënave të tatimeve 83,202 prej tyre rezultojnë të fiskalizuar. Nga nisja e fiskalizimit deri tani janë lëshuar 339 mln fatura të fiskalizuara.

Faza e parë e fiskalizimit nisi zbatimin më 1 janar 2021 për transaksionet pa para në dorë mes sipërmarrjeve dhe enteve publike.

Faza II, që nisi më 1 korrik, përfshiu në procesin e ri të faturimit, transaksionin pa para në dorë mes bizneseve. Në këtë fazë u hasën probleme me bllokimin e portalit SelfCare për shkak të mbingarkesës.

Në fazën përfundimtare, që konsiderohet dhe më delikatja, u përfshinë nga 1 shtatori i vitit të kaluar 92,000 biznese të vogla për shitjet me para në dorë. Më 30 qershor 2022 përfundon afati i periudhës pa penalitete për fiskalizimin e bizneseve të vogla. Monitor.