Film & Tv

Ah sikur i gjithë filmi “French Exit” të ishte aq i mirë sa performanca e Michelle Pfeiffer! Kritikë

Michelle Pfeiffer është pak si dhelpër, figura e saj, fytyra, e qeshura prej skileje. E në fakt tek “French Exit” personazhi që luan është si një ri-mishërim i një dhelpre në trupin e një femre. Frances Price, klasa e pasur e Upper East Side në Manhattan. Me gëzofin e saj të butë ajo mësyn në film për të ‘rrëmbyer’ djalin e saj Malcolm, edhe pse drejtori i shkollës ulërin nga veprimi skandaloz i saj. Prezenca e saj në jetën e të birit deri më atëhere ishte zero, ndaj joshja e tij për një jetë mondane, plot teprime dhe të papritura është e madhe kur ajo i thotë “A do vish me mua”. Por teprimet mbarojnë shpejt – filmi vazhdon pikërisht këtu – kur shkëlqimi është vanitur dhe lekët janë mbaruar, nuk ka më aventura – thjesht kaos.

“Kisha në plan të vdisja para së mbaronin paratë, por ato mbaruan para se të vdisja unë” – i thotë Price financierit të saj, kur ky i fundit e lajmëron për falimentimin. Dhe kjo nuk është shaka. Kur shoqja e saj më e mirë (dhe e vetme) Joan, (Susan Coyne) i ofron apartamentin e saj në Paris, Frances merr të birin (Lucas Hedges), macen e tyre, paratë që i kanë ngelur dhe planin për ta mbyllur me Parisin.

“French Exit” mund të jetë për shumë një farsë depresive, nuk është as shumë ndikues, as shumë për të qeshur.Një stil melankolik alla Wes Anderson, në skenat kur bëhen të gjithë personazet në dukje rrethanorë bashkë në një apartament në Paris. Por regjisori Azazel Jacobs i cili përshtati skenarin e Patrick deWitt, bazuar në librin e tij nuk është shumë i qartë në atë që do të bëjë. Duket sikur filmi po shkon në një drejtim dhe Pfeiffer në një tjetër. Portretizimi i saj i hidhët dhe i mërzitur e bën dhe ç’bën filmin njëkohësisht, duke mbivlerësuar çdo gjë në film – ndërkohë që është e vetmja gjë e vlefshme. Mbase i vetmi përjashtim mund të jetë Valerie Mahaffey që luan me Reynard, një vejushë që fton Frances dhe të birin për darkë pa e njohur nga afër – po duke e admiruar nga larg – siç ndodh në rrethin e grave të pasura ku zilia dhe nakarin pihen me Martini me ullinj.

Është një histori e bukur, një nga ato që do kishe dashur ta kishe lexuar në libër më shumë se ta shikoje nga divani. Të ngjall një lloj nostalgjie për ditët e teprimit, e moskokëçarjes dhe lëngimit për një harbim më shumë. Ka disa skena fantastike në film, si ajo kur po hanë mëngjesin në një restorant parizien, me omleta të ftohta dhe kamarierë mospërfillës – Frances i vë flakën llogarisë – ndërsa në një plan portret shikojmë për pak sekonda sa shpesh i ka parë i biri këto lajthitje të mamasë dhe sa shumë i shijon ende. Në ato momente kuptohet lehtë pse ai ka probleme në jetën e tij dhe nuk arrin dot të dalë nga hija e të emës – që ka një karizëm pompante. Ajo që nuk kuptohet është pse filmi ‘harxhon’ kaq kohë duke i marrë me Malcolm – jo për faj te Hedges i cili për të dytën herë rradhazi luan një të afërm të një gruaje me lek duke u bërë paterica e saj. Filmi luan me ide të cilat në gjenezë mund të pranoheshin lehtësisht -si macja e cila kthehet në shpirtin e burrit të Frances dhe flet përmes një qiriu (zëri i Tracy Letts), Danielle Macdonald luan një fallxhore shumë të drejtëpërdrejtë që thotë njerzve do vdisni dhe Isaach De Bankolé një dedektiv i rëndomtë. Të gjithë këta nuk sjellin asgjë.

Jacobs, djali i një regjisori eksperimental të madh Ken Jacobs, ka kaluar karrieren e tij në kombinime tonalitetesh të papritura. Filmi i tij i mëparshëm “The Lovers” 2017, edhe pse kishte performanca shumë të arrira të Letts dhe Debra Winger dhe tregonte një histori njerëzore të prekshme – një çift në prag divorci – njësoj si rasti Michelle Pfeiffer këtu nuk e shpëton filmin.

Nuk është gjë e mirë kur arrin në një festë kur të tjerët po bëhen gati të ikin. Ketë ndjesi të lë “French Exit”… dhe fajin nuk e ka titulli!