Bota

Aksident ajror në Milano të Italisë, 8 viktima nga rrëzimi i një avioni!

Në Itali, 8 persona, mes tyre 2 pilotët e 6 pasagjerë, përfshirë një fëmijë, humbën jetën në San Donato pranë Milanos, nga rrëzimi i një avioni të vogël. Mjeti fluturues u përplas me një pallat që ishte në rindërtim e për pasojë u shkaktua një zjarr i madh.

Alarmi pranë emergjencave të rajonit të Lombardisë u dha pas orës 13:00 e menjëherë, në vendngjarje shkuan ekipet e kërkim-shpëtimit, zjarrfikës e forca të policisë. Në ndërtesë nuk kishte njerëz ndërsa mësohet se avioni i nisur nga Milano Linate ishte drejtuar për në Olbia, në Sardenjë.

Dëshmitarë në vendngjarje treguan se një prej motorëve të avionit u përfshi nga flakët dhe Piper-i nuk bëri manovra, por u rrëzua pikiatë.

Dëgjova zhurmën e një avioni e më pas, të dritareve që u drodhën, si nëpër filma. Dola për të parë dhe pashë tymin e zi që ngrihej lart.

Agjencia Italiane për Sigurinë e Fluturimeve hapi një hetim.

Mjeti PC-12, YR-PDV, ishte nisur nga Linate në orën 13:04 me destinacion Olbian. Avioni goditi një godinë e më pas mori flakë.

Avioni ra në rrugën “8 Tetori 2001”, që quhet kështu në përkujtim të masakrës së Linates, aksidentit ajror të rreth 20 viteve më parë me 118 viktima, mes tyre edhe një banor i San Donatos.