Aktualitet

Aksidentet e orëve të fundit shkaktuan një viktimë e 7 të plagosur!

Në vendin tonë, dita e fundit e javës që lamë pas u mbyll me tre aksidente rrugore, me një viktimë dhe shtatë të plagosur, pesë prej tyre në aksin Fier-Patos. Dy makina u përplasën me njëra-tjetrën në vendin e quajtur “Kthesa e Patosit”. Për pasojë, u lënduan shoferët e automjeteve tip “Ford” e “Benz”, si dhe tre pasagjerë.

Sikurse duket nga pamjet, mjetet u shkatërruan nga përplasja e fortë. Ende nuk dihet nëse ka qenë shpejtësia apo arsye të tjera që shkaktuan aksidentin, i treti i raportuar dje brenda pak orësh.

Në fshatin Nikël, në Krujë, një makinë tip “Audi” që drejtohej nga një 23-vjeçar përplasi një 77-vjeçar, i cili ndërroi jetë në vend. I moshuari ishte duke kaluar rrugën kur u godit nga automjeti. Shkak për ngjarjen dyshohet se u bë shpejtësia e lartë, por dhe kalimi i rrugës në mënyrë të gabuar nga ana e viktimës.

Si pasojë e aksidentit, në këtë aks pati vështirësi në lëvizjen e mjeteve. Dy aksidentet u paraprinë nga një tjetër në juglindje të territorit shqiptar. Në aksin rrugor Korçë-Pogradec, në afërsi të Maliqit një automjet tip “Ford” u përplas me një motor me të cilin po lëviznin dy të rinj, njëri prej tyre 17-vjeç.

Nga aksidenti, u plagosën rëndë drejtuesi dhe pasagjeri i motorit, të cilët u dërguan me urgjencë drejt spitalit të Korçës. Për shkak të hemorragjisë së brendshme, mësohet se njëri prej të plagosurve u nis drejt Tiranës. Edhe në këtë rast, drejtuesi i mjetit u shoqërua në komisariat, teksa uniformat blu nisën hetime për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Në një tjetër zhvillim, sot një makinë tip “Ford” u dogj në hyrje të Savrës në Lushnjë, fatmirësisht pa të lënduar. Drejtuesi i mjetit që përdorej për të transportuar disa punëtorë pa të dilte tym nga pjesa e motorit. Ai doli në kohë, para se makina të digjej totalisht, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të zjarrfikësve. Paraprakisht, shkak dyshohet të ketë qenë një shkëndije elektrike pasi mjeti ishte i ndezur.