Auto & Moto

Aksidenti fatal që i mori jetën inxhinierit të Apple në vitin 2018, Tesla fiton padinë!

Tesla ka fituar së fundmi padinë për një aksident automobilistik që la të vdekur një inxhinier të Apple në vitin 2018 pasi makina e tij doli nga një autostradë në San Francisko. Kompania akuzohej se aksidenti ishte shkaktuar nga teknologjia Autopilot e makinës, por së fundmi i dha fund betejës pesëvjeçare mbi çështjen.

Tesla pretendon se Walter Huang kishte keqpërdorur sistemin sepse ai po luante një videolojë pak para aksidentit. Gjithashtu, thuhet se ai nuk ishte vigjilent për ta marrë drejtimin e makinës. “Nuk ka asnjë dyshim që po t’i kushtonte vëmendje rrugës, do të kishte pasur mundësinë për të shmangur këtë përplasje”,-tha Tesla në një dosje gjyqësore.

Edhe zyrtarët të cilët e hetuan përplasjen zbuluan se Huang nuk bëri asnjë përpjekje për të ndaluar automjetin e tij teksa ai po shkonte me shpejtësi drejt një pengese. Përplasja e Huang ishte një ndër qindra aksidentet në SHBA, në të cilat Autopiloti ishte faktori i dyshuar. Administrata Kombëtare e Sigurisë së Trafikut në Autostrada të SHBA-së (NHTSA) ka ekzaminuar të paktën 956 përplasje dhe ka realizuar 40 hetime mbi aksidentet që përfshinin sistemet e automatizuara të drejtimit të Tesla-s që rezultuan në 23 vdekje.

Në mes të shqyrtimit, Tesla tërhoqi më shumë se 2 milionë automjete me Autopilot. Pavarësisht veçorive të tilla, kompania e Elon Musk ende nuk ka provuar se mund të prodhojë një makinë plotësisht autonome. Sistemi Autopilot mund të drejtojë, përshpejtojë dhe frenojë vetë në rrugë të hapur, por nuk mund të zëvendësojë një shofer njerëzor.

Rikujtojmë se Tesla ka regjistruar rënie tremujore të dërgesave për herë të parë në thuajse katër vjet. Aksionet e Tesla ranë me 5.7% në fillim të tregtimit, duke iu shtuar humbjes së vlerës prej thuajse 30% të regjistruar këtë vit. Tesla dërgoi rreth 386.810 makina në tre muaj deri më 31 mars, në rënie prej 20.2% krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Në periudhën e analizuar, Tesla prodhoi 433.371 makina. Sipas 18 analistëve të anketuar nga Visible Alpha, Wall Street priste që Tesla të dërgonte mesatarisht 454.200 automjete.