Bota

Akuza për sulme kibernetike, përgatiten sanksione amerikane ndaj Rusisë

Shtetet e Bashkuara pritet të shpallin sanksione ndaj zyrtarëve dhe subjekteve ruse. Për shkak të ndërhyrjes në zgjedhjet amerikane dhe një sulmi kibernetik ndaj institucioneve qeveritare e korporatave amerikane, rreth 30 kompani e dhjetra persona, përfshirë zyrtarë të inteligjencës ruse janë në shënjestër.

Kjo sipas raportimeve të agjencive Reuters e Bloomberg, referuar burimeve të rezervuara. Po ashtu priten dëbime të shtetasve rusë. Prej javësh, administrata e presidentit Joe Biden ka dhënë sinjale se po përgatit një përgjigje ndaj shkeljes së sigurisë kibernetike.

Përfaqësues të shërbimeve sekrete amerikane dhe të kompanive të teknologjisë thanë se pas sulmit kibernetik të dhjetorit të kaluar qëndronin hakera rusë. Nga sulmi kibernetik u prekën të paktën 9 agjenci qeveritare, përfshirë departamentet e Thesarit, të Drejtësisë e Tregtisë, si dhe 100 ndërmarrje private.

Gjithashtu, sanksionet e Shteteve të Bashkuara ndaj Rusisë, synojnë hakmarrje për ndërhyrjen e pretenduar gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Një vlerësim i Inteligjencës Amerikane arriti në përfundimin se me shumë mundësi, presidenti Vladimir Putin dhe Qeveria autorizuan e drejtuan një përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të nëntorit të kaluar në Amerikë. Moska i mohon akuzat.