Bota

Akuzohen për spiunazh, Norvegjia dëbon 15 diplomatë rusë !

Norvegjia po dëbon 15 diplomatë rusë të cilët janë akuzuar për kryerjen e punës së inteligjencës nga ambasada në Oslo.

Ministrja e Jashtme e vendit, Anniken Huitfeldt u shpreh në një konferencë shtypi se aktivitetet e tyre përbëjnë një kërcënim për Norvegjinë, ndërsa shtoi se i ka ndjekur aktivitetet e tyre me kalimin e kohës.

Huitfeldt tha se ishte shumë herët për të thënë nëse dëbimet do të ndikonin në transferimin e kryetarit të rradhës të Këshillit Arktik.

Oficerët, të cilët përbëjnë gati një të tretën e diplomatëve të akredituar në Norvegji, duhet të largohen së shpejti.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS raportoi se Moska do të përgjigjet ndaj dëbimeve, por nuk dha detaje të mëtejshme.

Nga ana tjetër Rusia vazhdoi të rrisë numrin e diplomatëve të saj në Serbi, vendi i rrallë evropian që nuk vendosi sanksione ndaj Kremlinit dhe një nga të paktët në Evropë që nuk kërkoi reduktim të fushëveprimit të misionit rus pas pushtimit të Ukrainës.

Lista diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme tregon se dy diplomatë të tjerë rusë kanë mbërritur në Serbi gjatë muajit mars.

Në fillim të marsit, misioni i Rusisë në Serbi kishte 62 diplomatë, ndërkaq më 31 mars ishin 64 të tillë.

Në fillim të marsit, Radio Evropa e Lirë (REL) njoftoi se Rusia, një vit pas pushtimit në Ukrainë, kishte rritur praninë e saj diplomatike në Serbi, pas valës së dëbimeve të diplomatëve nga BE-ja vitin e kaluar.