Rajoni

Albin Kurti në Bratisllavë, serbët vazhdojnë protestat në veri!

Ndërsa serbët e veriut të Kosovës vazhdojnë protestat kundër kryetarëve shqiptarë të komunave Zveçan, Leposaviç e Zubin Potok, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjendet në kryeqytetin sllovak, Bratisllavë, ku po zhvillon punimet një forum për sigurinë. Një ditë më parë, burime në Bruksel e përmendën Bratisllavën si vendtakim të mundshëm të Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç e thanë se janë duke punuar në këtë drejtim.

Të dy liderët, Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiç janë ftuar në forumin e sigurisë në Bratisllavë. Nga qeveria e Kosovës, fillimisht thanë se kryeministri e ka shtyrë pjesëmarrjen, për shkak të zhvillimeve në veri. Edhe Vuçiç deklaroi se nuk do të shkojë në Bratisllavë, se siç u shpreh, “është më e rëndësishme të jetë me popullin serb”. Priten informacione nga zyrtarët europianë nëse takimi Kurti-Vuçiç në Bratisllavë ende ka gjasa.

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç deklaroi se forcat e Armatosura të Serbisë do të jenë në gjendje të lartë të gatishmërisë luftarake për sa kohë të vlerësohet se interesat kombëtare dhe shtetërore të Serbisë janë të kërcënuara e derisa ekziston rrezik i lartë i sigurisë në Kosovë. Më herët, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se presidenti serb, Aleksander Vuçiç dhe qeveria e Serbisë duhet ta ulin nivelin e gatishmërisë së Forcave të Armatosura, si dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës të ndalojnë sfidimin e KFOR-it e të përmbahen nga dhuna e mëtejshme.

SHBA-të ndërmorën masa kundër Kosovës për injorimin e këshillave amerikane për të shmangur rritjen e tensioneve në veriun me shumicë serbe. Uashingtoni e kritikoi qeverinë Kurti për instalimin e kryetarëve shqiptarë në veri, “me mjete të dhunshme”. Për pasojë, Kosova u përjashtua nga pjesëmarrja në një stërvitje ushtarake, të udhëhequr nga Amerika në Europë.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se SHBA-të po shqyrtojnë dhe masa të tjera e shtoi se aktualisht, “nuk ka entuziazëm” për ta ndihmuar Kosovën në përpjekjet e saj për të fituar njohje më të madhe ndërkombëtare ose për të përparuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian e në NATO.