Rajoni

Albin Kurti në seancën e Këshillit të Sigurimit ku do të diskutohet për Kosovën!

Kryeministri Albin Kurti do të marrë pjesë në një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e thirrur me kërkesë të Serbisë. Aty pritet të diskutohet për zhvillimet e fundit në Kosovë. Kurti udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara bashkë me kryediplomaten Donika Gërvalla-Schwarz. Ndërkohë, presidenca serbe njoftoi se në seancë do të flasë edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç.

Kërkesën lidhur me këtë seancë, Serbia e bëri pas vendimeve të autoriteteve kosovare për ndalimin e dinarit serb dhe mbylljen e komunave paralele serbe javët e fundit. Në kërkesën e dorëzuar, Beogradi zyrtar e përshkroi si “të jashtëligjshëm” vendimin e Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit serb për pagesa cash, duke vlerësuar se është “vazhdimësi e masave të dhunës brutale fizike dhe institucionale ndaj serbëve”.

Qëllimi është spastrimi etnik dhe zhdukja e popullatës serbe.

Tensionet janë rritur sërish pasi në Kosovë, më 1 shkurt hyri në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore sipas së cilës, euro është valuta e vetme për pagesat, që nënkupton ndalimin e përdorimit të dinarit serb.

Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, duke shprehur shqetësimin se mund të ketë ndikim negativ te komuniteti serb. Në vendbanimet ku jetojnë serbët në Kosovë, dinari ka qarkulluar që nga koha e pas luftës. Serbia iu paguan serbëve të Kosovës pagat, pensionet, ndihmat sociale dhe përfitimet e tjera. Këtë e bën përmes sistemit paralel.

Deri tani, dinarët janë dërguar në Kosovë nga Serbia përmes Bankës Popullore të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviç, një komunë që ndodhet në veri të Kosovës dhe e banuar me shumicë serbe. Po ashtu, në ditët e fundit, autoritetet në Kosovë kanë bërë të ditur se kanë mbyllur shtatë komuna paralele në rajonet e Pejës e gjithashtu të Dragashit.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se institucioni i vetëm që Serbia do të ketë në Kosovë do të jetë ambasada e saj në Prishtinë.