Rajoni

Albin Kurti nuk tërhiqet, mbron vendimin mbi reciprocitetin e targave!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti iu tha sot ambasadorëve të QUINT-it, se vendimi për targat e Serbisë nuk është provokim e as diskriminim. Siç njofton zyra e tij e shtypit, Kurti vuri në dukje se “Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për makinat, Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë ose janë gabim”.

Pra, t’i mbajmë ato lloj targash ose t’i heqim!

Vendet e QUINT-it, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia, janë përkrahësit më të mëdhenj të shtetësisë së Kosovës. Në takim, mori pjesë edhe shefi i misionit të Bashkimit Europian në Prishtinë, Tomas Szunyog.

Ambasadorët dhe kryeministri Kurti u pajtuan që duhet ruajtur paqja e qetësia, si dhe stabiliteti e siguria. Dialogu të vazhdojë e situata të mos përshkallëzohet më tej!

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Europian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, shprehu shqetësim për situatën në veri të Kosovës, pas vendimit të Qeverisë për të vendosur masa reciprociteti për automjetet e Serbisë.

Jam i shqetësuar dhe bëj thirrje për shtensionim urgjent. Eshtë e rëndësishme të ulen tensionet, të rikthehet klima e paqes e të lejohet liria e lëvizjes!

Lajçak tha se i ka njoftuar ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së për situatën në veri të Kosovës dhe përsëriti gatishmërinë e institucioneve europiane për të lehtësuar bisedimet, për të gjitha çështjet e hapura. Kjo në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës e Beogradit.

Një ditë më parë, kabineti Kurti vendosi që shoferët nga Serbia kur të hyjnë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre e të marrin regjistrimin e përkohshëm të Kosovës. Në këtë mënyrë, vendosi masën e reciprocitetit për targa serbe, pasi një gjë të ngjashme Serbia e ka aplikuar për makinat nga Kosova, për më shumë se dhjetë vjet.

Jarinja dhe Bërnjaku, dy vendkalimet kufitare në veri të Kosovës ku shumica e banorëve janë serbë, mbeten të bllokuara nga këta të fundit. Aty janë vendosur dhe njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla:

Policët e Kosovës janë në lartësinë e detyrës dhe po kontribuojnë në ruajtjen e rendit e sigurisë.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç tha se “Serbia kërkon tërheqjen e Policisë së Kosovës nga veriu”.