Aktualitet Rajoni

Albin Kurti pranon se u informua nga AKI për atentat kundër tij!

Kryeministri Albin Kurti, ka qenë i informuar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencën (AKI) se pati një plan për atentat ndaj tij në vitin 2021. Në njoftimin e Zyrës së shefit të qeverisë thuhet:

Institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtij veprimi. Rasti nuk është bërë publik, për të mos përhapur panik.

Në bazë të raportimeve të mediave në Shqipëri, njësia kundër-terrorizmit e Policisë së Kosovës mori informacione nga burime të inteligjencës mbi planet për vrasjen e tre personave: Albin Kurtit, Xhavit Halitit e Ismet Haxhës.

Haliti, deputet i subjektit opozitar Partia Demokratike e Kosovës, konfirmoi për mediat vendase se ka pranuar informacione për kërcënime ndaj jetës së tij. Ndërkohë, Ismet Haxha është ish-pjesëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK). Siç theksohet në dokumentin të cilit i referohen mediat në Shqipëri, “vrasja e këtyre tre figurave ishte planifikuar me qëllim, destabilizimin e Kosovës”.

Sipas raportimeve, Prek Kodra, shtetas i Shqipërisë, dyshohet se ka planifikuar vrasjen e tyre. Po sipas dokumentit, gjithashtu ai ka qenë i dyshuar për përfshirje në disa vrasje në Kosovë e në Malin e Zi.

Për dokumentin thuhet se është publikuar nga hakerat që më 15 korrik sulmuan faqet online të institucioneve shqiptare, ndërsa disa ditë më parë, sistemin TIMS. Shqipëria ka fajësuar Iranin se qëndron pas tyre dhe ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike.