Aktualitet Rajoni

Albin Kurti takon policin që e arrestoi 16 vite më parë gjatë një proteste të Vetëvendosjes/ Gjatë këtyre ditëve ai udhëhoqi operacionin në Veri të vendit.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti priti sot në zyrën e tij stafin e lartë menaxhues të Policisë së Kosovës.

Mes efektivëve ishte edhe Besart Ahmeti, Shef i Njësisë Speciale Operative, i cili ishte udhëheqës i operacionit në Veri.

Kurti bën me dije se e ritakoi Ahmetin 16 vjet pasi polici e kishte arrestuar liderin e Vetëvendosjes gjatë një proteste. Fotoja e Albin Kurtit me pranga në duar u bë asokohe virale.

Në zyren time në Kryeministri, sot prita ministrin e brendshëm dhe udhëheqës të lartë të Policisë së Kosovës. Në mesin e tyre ishte edhe Besart Ahmeti, të cilin e ritakova nga afër pas 16 vjetëve. Kapiteni Ahmeti ka udhëhequr profesionalisht policë të njësisë speciale në Bërnjak dhe ka zhvilluar shkëlqyeshëm negociata në terren atje. Nuk ia shtrënguam dorën njëri-tjetrit, për shkak të pandemisë, shkruan Kurti në rrjetet sociale.

Në vitin 2015 në protestat e organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje, Shefi i Njësisë Speciale Operative, Besart Ahmeti, ishte lënduar rëndë në kokë dhe njërin sy dhe kishte shkuar në Turqi për mjekim.

Ahmeti kishte qenë edhe dëshmitar i Prokurorisë në vitin 2010 kur Kurti po akuzohej për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Kurti gjatë seancave të mbajtura ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, të cilat rëndonin mbi të.

I kam hedhur poshtë të gjitha akuzat e tyre, edhe asnjëri prej tre policëve që kanë qenë dëshmitarë të prokurorisë, Besart Ahmeti, Kristë Gjokaj dhe Ismet Hajdini, nuk i kanë konfirmuar pohimet e Prokurorisë. Mirëpo, pavarësisht këtyre, gjatë gjithë seancës së sotme u pa se akuzat ndaj meje, madje, nuk vijnë aq nga prokurori, sa vijnë nga vetë gjykatësi i EULEX-it, ka thënë Kurti pas shqiptimit të dënimit prej 9 muajsh.