Rajoni

Ambasadori Hovenier: Integrimi europian dhe euroatlantik i Kosovës, urgjencë e qartë!

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se për vendin është e qartë urgjenca për integrim europian dhe euroatlantik e shtoi se kjo nënkupton siguri, prosperitet dhe demokraci për popullin e tij.

Integrimi i Kosovës është thelbësor edhe për arritur sigurinë e stabilitetin afatgjatë në rajon.

Kosova aplikoi për anëtarësim në BE më 2022-shin e është e vetmja në Ballkanin Perëndimor që ende nuk e ka fituar statusin e vendit kandidat.

Duke folur në Prishtinë, në eventin për shënimin e 25-vjetorit të fillimit të sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike (NATO) kundër objektivave ushtarake policore në ish-Jugosllavi, Hovenier theksoi se Amerika e sheh stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor si një premtim të rëndësishëm që duhet të përmbushet, sidomos pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia e Vladimir Putinit.

25 vjet më parë, NATO veproi për ta çuar përpara një vizion për një Europë të lirë e paqësore. Edhe sot ne po punojmë për ta arritur këtë.

Pas 78-ditësh sulmesh, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ndërhyrja ushtarake e NATO-s në Kosovë mundësoi kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

Hovenier e ritheksoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara që “ngjarjet e tmerrshme që ndodhën në Kosovë 25 vjet më parë, të mos përsëriten kurrë më”.

Ne jemi të përkushtuar për ta mbështetur rolin e vazhdueshëm stabilizues që forca e NATO-s luan në Kosovë.

Por, ia bëri të qartë autoriteteve kosovare se rruga e vetme për integrimin e Kosovës në institucionet europiane dhe euroatlantike është përmes dialogut me Serbinë me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore në fillim të vitit 2023. Por, BE-ja, e cila ndërmjetëson dialogun mes tyre nga viti 2011, ka thënë se marrëveshja nuk është duke u zbatuar edhe pse është detyruese për palët.

Marrëdhëniet mes SHBA-ve e Qeverisë Kurti kanë arritur pikën më të ulët në fillim të këtij viti, kur autoritetet kosovare vendosën të ndalonin përdorimin e dinarit serb në Kosovë për pagesa me para përmes një rregulloreje të Bankës Qendrore. Nga 1 shkurti, BQK-ja përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.