Bota

Ankth për recesion në Gjermani, nëse gazi rus ndalon!

Një recesion serioz mund të jetë gati nëse gazi rus ndalon rrjedhjen në Gjermani. Paralajmërimi vjen nga Shoqata e Dhomave Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë (DIHK). Presidenti i DIHK-së, Peter Adrian ka argumentuar se qeveria gjermane e kancelarit Olaf Scholz duhet të heqë kufizimet, në mënyrë që firmat të mund të vendosin më shpejt alternativa ndaj energjisë me gaz.

Rënia e prodhimit ekonomik mund të jetë 10% ose më shumë kur të vijë dimri.

Duket se Berlini zyrtar po pret të shohë se çfarë do të ndodhë nga dita e nesërme, kur ofruesi rus i gazit “Gazprom” të mbyllë gazsjellësin “Nord Stream 1” për mirëmbajtjen rutinë vjetore.

Tashmë, “Gazprom” ka reduktuar ndjeshëm rrjedhën e gazit duke përmendur arsye teknike, për të cilat Gjermania thotë se janë të dyshimta dhe frika është se furnizimet nuk do të rifillojnë.

Siç është bërë e njohur prej kohësh, tensionet janë të lidhura me pushtimin rus të Ukrainës prej datës 24 shkurt, si dhe me sanksionet perëndimore ndaj Moskës që pasuan agresionin e urdhëruar nga Putini.

Fatkeqësisht, duhet të përballemi me skenarin që kur më 21 korrik të përfundojë mirëmbajtja, nuk do të rrjedhë më gaz përmes “Nord Stream 1”. Kjo do të ishte një fatkeqësi!

Edhe pse qeveria gjermane po përpiqet të ngrejë terminale lundrues për marrjen e gazit natyror të lëngshëm, ato nuk do të jenë gati deri në fund të vitit, kur të fillojë dimri. “Kjo do të thotë se ne do të kemi një problem energjie”, – shtoi Peter Adrian.

Pa gaz, shumë kompani do të duhet të mbyllen. Në atë rast, unë jam shumë i shqetësuar për një recesion. Pastaj ne do të shohim një rënie ekonomike që është drastikisht e ndryshme nga ajo që përjetuam gjatë krizës financiare.

Gjatë krizës financiare të vitit 2009, Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) në Gjermani u tkurr me 5.7%. Më pas, gjatë krizës së koronavirusit më 2020-ën, PBB u ul me 4.6%.