Aktualitet

ARRSH mbyll ‘pushimin e shoferit’ e njohur edhe si ‘zona e vdekjes’/ Banorët në protestë, bllokojnë për 20 minuta autostradën Lushnje-Fier.

Pas mbylljes nga ARRSH të pikës së njohur me emrin ‘pushimi i shoferit’ në autostradën Lushnjë-Fier, banorët e kësaj zone kanë dalë në protestë ditën e sotme.

Ata mbajtën të bllokuar për 20 minuta rrugën, duke sjellë kaos në qarkullimin e mjeteve.

Në të dy anët e saj vargu i mjeteve arriti deri në mbi 4 km. Banorë nga Kemshitaj dhe Krutje kërkojnë ndërtimin e një rruge dytësore ose mbikalim për automjetet.

Ky kryqëzim ka shërbyer si nyjë lidhëse nga autostradë në drejtim të qytetit të Divjakës si dhe nga autostrada në njësitë administrative Krutje, Allkaj, Bubullimë, Fiershegan e më tej për në Kuçovë e Berat.

Është dashur ndërhyrje a policisë së Lushnjes dhe të FNSH, të cilët hapën rrugën dhe larguan protestuesit.

Kjo pikë njihet ndryshe edhe si ‘zona e vdekjes’, për shkak të numri të lartë të aksidenteve.

Deputeti demokrat Saimir Korreshi tha se vendimi i ARRSH, është një akt që ka krijuar kosto për 80 mijë banorë. Në një postim në rrjetet sociale, Korreshi ka publikuar disa foto, ku duket kaos në trafik, ndërsa i drejton edhe një thirrje të fortë ministres së Transportit.