Aktualitet

Arti në zi/ Ndërron jetë në moshën 75-vjeçare, aktori i mirënjohur Mirush Kabashi!

Shuhet ‘Sokrati’ shqiptar! Artisti i mbarë popullit shqiptar, Mirush Kabashi ka mbyllur sytë përgjithmonë në moshën 75-vjeçare. Report Tv mëson se Kabashi ka ndërruar jetë orët e para të mëngjesit, ndërsa prej disa ditësh ishte intubuar dhe në gjendje të rëndë në spital. Aktori Kabashi prej vitesh vuante nga një sëmundje e rëndë, ai është kuruar edhe në Turqi, por nuk ja doli dot.

Kontributi i jashtëzakonshëm i përditshëm i “Nderit të Kombit” do mungojnë fizikisht, por puna dhe veprat e tij, do mbeten një thesar i paçmuar në kulturën e kombit shqiptar.

Të nderuar Miq, Kolegë dhe Dashamirës, me pikëllim të thellë ju njoftojmë se MIRUSH KABASHI ndërroj jetë të Martën, në datë 5 Dhjetor pas mesnate. Përsa i përket detajeve të ditës, orës së varrimit dhe homazheve do ju komunikojmë në orët në vazhdim. Me Respekt, Familja Kabashi!, thuhet në njoftim.

Kabashi vdiq në Tiranë dhe la pas dy vajza dhe bashkëshorten. Mirush Kabashi la pas një trashëgimi të pasur artistike, si aktor i rreth 100 roleve në teatër dhe filma. Ai është cilësuar gjithashtu edhe si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës. Origjina e tij është nga Gjakova.

Në vitin 1970 ai u diplomua si aktor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe filloi punë në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Aty, vazhdoi deri në vitin 1994, duke pasur edhe rolin e drejtorit, 1991-1993. Më pas punoi në Televizionin Shqiptar, në departamentin e Programeve Artistike si ideator dhe prezantues, ndërsa nga 2002 e në vijim në Teatrin Kombëtar.

Nga viti 1985, me periudha të ndërprera, është aktivizuar si pedagog i “Mjeshtërisë se Aktorit” pranë Akademisë së Arteve. Ai është nderuar me titujt e lartë “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.

Filmografia

* Kronikë provinciale (2009)

* Ne dhe Lenini (2008)

* Nata (1998)

* Edhe ashtu edhe kështu (1989)…. Babai i Almës

* Binarët (film) (1987)

* Telefoni i një mëngjesi (1987)….Kujtimi

* Zëvendësi i grave (1987)……… Lisimak Voci

* Nxënësit e klasës sime (1984)..Mësues Nardi

* Kohë e largët (1983) ………Asketi Lithan

* Dora e ngrohtë (1983) ………Brahushi

* Shoqja nga fshati (1980) ………Nasi (dajua i Tirkes)

* Një ndodhi në port (1980) ……….Calamani

* Gëzhoja e Vjetër (1980) ………Bake

* Radiostacioni (1979) ……Një nga tekniket e Radios

* Koncert në vitin 1936 (1978)… Toger Shazivari

* Zani partizani (1976) (TV)….Partizan-vëlla i Zanit

* Emblema e dikurshme (1976) ……..Veniamin Papa