Bota

Ballkani Perëndimor, prioriteti i administratës së re amerikane!

Edhe Ballkani Perëndimor do të jetë ndër prioritetet e administratës së re amerikane. Kjo u theksua në një telefonatë që presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden zhvilloi me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. “Një Bashkim Europian i fortë është interesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”,-deklaroi Biden ndërsa i përsëriti der Leyen-it angazhimin për të thelluar e rigjallëruar marrëdhëniet SHBA-BE.

Ky angazhim u konfirmua dhe në një bisedë telefonike që Presidenti i 46-të i Amerikës pati me kreun e Këshillit Europian, Charles Michel. Biden theksoi se: “Pandemia dhe shërimi janë ndër përparësitë kryesore të bashkëpunimit ekonomik e klimatik”. Bashkë me Ballkanin Perëndimor, gjithashtu Biden ka ndër prioritet Iranin, Bjellorusinë e Ukrainën.

Ndërkaq, Charles Michel e ka ftuar presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Joe Biden, të marrë pjesë në Samitin e vitit të ardhshëm në Berlin. Më herët këtë muaj, një zyrtar i BE-së tha se Michel po planifikon të ftojë Biden-in të takohet përmes video-konferencës për të diskutuar pesë çështje kryesore, respektivisht pandeminë COVID-19, vlerat e përbashkëta dhe multilaterizmin, ndryshimet klimatike, tregtinë, sigurinë dhe interesat e përbashkëta gjeopolitike.