Bota

Bashkimi Europian me tarifa që synojnë të ardhurat ruse!

Bashkimi Europian po synon që “të godasë” të ardhurat e Rusisë, të cilat Moska zyrtare i përdor në luftën kundër Ukrainës duke vendosur “tarifa ndaluese” ndaj drithërave dhe importeve të tyre në bllok. Kështu u shpreh sot komisioneri europian për Tregtinë. Propozimi nga Komisioni Europian po shqyrtohet nga udhëheqësit e Bashkimit Europian, të mbledhur nga dita e djeshme në Bruksel, në një samit dy-ditor.

Sanksionet e reja që u përshëndetën nga Kievi, nuk do të aplikohen ndaj drithërave ruse që kalojnë përmes Bashkimit Europian për në tregje të ndryshme, në mënyrë që të mos shkaktohen pengesa për furnizim në vende të tjera, siç vuri në dukje eurokomisioneri për Tregtinë, Vladis Dombrovskis.

Më herët gjatë ditës, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ankua ndaj udhëheqësve europianë kur ai foli në samit përmes video-lidhjes. Ai tha se nuk është e drejtë që drithërat ruse të kenë akses të pakufizuar në tregjet europiane, pikërisht në kohën kur importet ukrainase po kufizohen.

Brukseli ka kërkuar që të rrisë presionin ndaj ekonomisë ruse pas vendosjes të disa sanksioneve që kanë ngrirë asetet ruse në 27 shtetet e bllokut europian, duke shënjestruar udhëheqësit rusë, përfshirë presidentin Vladimir Putin, si dhe kanë tkurrur tregtinë.

Një ditë më parë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se tarifat e propozuara do të pamundësonin që “drithërat ruse të destabilizojnë tregun e BE-së me këto produkte”. Komisioneri Dombrovskis vuri në dukje se “propozimi i sotëm është në kohën e duhur dhe përbën një hap të nevojshëm”.

Po ashtu, ai tha se tarifat do të vendosen ndaj produkteve nga Bjellorusia, shtet që ka lejuar përdorimin e territorit përkatës që Rusia të niste pushtimin e Ukrainës në vitin 2022. Propozimi vjen se sipas Komisionit Europian, pati rritje të importeve bujqësore ruse në Bashkimin Europian.

Dombrovskis theksoi se këto tarifa do të bënin që importet ruse të ishin “të pa’aksesueshme” në tregje dhe do të ndihmonin që të ndalohej praktika ruse “e eksportimit të paligjshëm të drithërave të vjedhura ukrainase për në BE”.

Sipas rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë, të gjithë drithërat ruse deri më tani janë përjashtuar nga taksat e importit në Union.