Bota

BE gjobit me shifrën marramendëse “Amazon”!

Bashkimi Evropian ka gjobitur “Amazon” me 746 milionë euro për përpunimin e të dhënave personale, ose shkelje të Rregullores së Përgjithshme Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR). Komisioni Kombëtar i Luksemburgut për Mbrojtjen e të Dhënave (CNPD) gjobiti “Amazon Europe Core” me një vendim të 16 korrikut. Amazon ndërkaq tha se:

Ne besojmë se vendimi i CNPD është i pabazuar dhe kemi ndërmend të mbrohemi fort.

GDPR kërkon që kompanitë të kërkojnë pëlqimin e njerëzve para se të përdorin informacionin e tyre personal ose do të gjobiten rëndë. “Wall Street Journal” raportoi në qershor se kompania mund të gjobitet më shumë se 425 milionë dollarë nën ligjin e privatësisë të Bashkimit Evropian, duke cituar burime të njohura me këtë temë.

Rikujtojmë, se pak kohë më parë prokurori i Uashingtonit nisi një proces gjyqësor kundër “Amazon”, me akuzën për pengim të konkurrencës në tregtinë në internet. Prokurori Karl Racine detajoi ankesën duke thënë se:

Sjellja e Amazon dhe pjesa e saj në treg provojnë qëllimin e saj për të ndërtuar një monopol dhe tregojnë një probabilitet të rrezikshëm suksesi. Amazon ka përdorur pozicionin e saj dominues në tregun e shpërndarjes në internet për të fituar me çdo kusht. Grupi i Seattle maksimizon fitimet e tij në kurriz të shitësve dhe konsumatorëve të detyruar të paguajnë çmime artificialisht të larta, ndërsa dëmton konkurrencën dhe inovacionin.

Ndërkaq, Big Tech pati një vit të madh suksesi në 2020-ën, pasi pandemia nuk i ndaloi 7 kompanitë më të mëdha të teknologjisë të rriteshin në vlerën $3.4 trilionë në total vitin e kaluar. Gjigandët e teknologjisë si Amazon dhe Apple regjistruan të ardhura rekord në muajt e fundit, ku dy kompanitë arritën mbi $100 miliardë në të ardhura tremujore për herë të parë në tremujorin e fundit të 2020.