Rajoni

BE-ja me vazhdim presioni për zbatimin e marrëveshjes Kosovë – Serbi!

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell paralajmëroi në Bruksel se do të vazhdohet presioni ndërkombëtar ndaj Kosovës dhe Serbisë, që të zbatojnë detyrimet e tyre nga marrëveshja e arritur para një viti, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Borrell i ka bërë këto deklarata duke folur para gazetarëve, në prag të nisjes së takimit ministror të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së. Edhe këtë herë, zyrtari i lartë europian shprehu keqardhje se një vit pas arritjes së Marrëveshjes së Ohrit, niveli i zbatimit të saj nga palët ka qenë shumë më i vogël nga sa priste.

Ai iu referua pajtueshmërisë mes Kosovës dhe Serbisë për aneksin e një marrëveshjeje, për të cilën palët u patën dakroduar në shkurt të vitit të kaluar në Bruksel.

Sot është përvjetori i parë i Marrëveshjes së Ohrit. Koha po fluturon dhe tashmë është bërë një vit që kur kemi arritur marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që ato të lëviznin përpara drejt normalizimit. Për fat të keq, përkundër mbështetjes së gjerë ndërkombëtare e të Bashkimit Europian, Serbia dhe Kosova kanë arritur shumë pak progres.

Së shpejti do të kemi takimin tjetër të kryenegociatorëve këtu në Bruksel. Më vjen keq se kjo marrëveshje, e cila ishte shumë vështirë të arrihej, nuk është zbatuar. Do të vazhdojmë të bëjmë presion ndaj të dyja palëve, që të lëvizin përpara. Por, një vit më vonë, zbatimi nuk ka qenë aq sa unë kisha pritur të jetë.

Komente të ngjashme bëri edhe dje, në një komunikatë të lëshuar nga zyra e tij, në përvjetorin e parë të Marrëveshjes së Ohrit. Ndërkohë, për nesër në Bruksel është lajmëruar takimi i radhës në kuadër të dialogut. Kosova dhe Serbia do të përfaqësohen nga dy kryenegociatorët, Besnik Bislimi e Petar Petkoviç.

Bashkimi Europian ka paralajmëruar se në këtë takim do të diskutohet për gjetjen e zgjidhjes rreth përdorimit të valutës në Kosovë, si dhe për çështjet e tjera urgjente, përfshirë zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve.

Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për të zbatuar një rregullore që përcakton euron si valutën e vetme për kryerje të pagesave me para, konsiderohet si “ndalim i dinarit të Serbisë” dhe është kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare si “i njëanshëm, i pakoordinuar dhe i pa komunikuar paraprakisht”.