Bota

BE zgjat autorizimin mbi përdorimin e vaksinës kundër lisë së majmunëve!

Komisioni Europian miratoi vazhdimin e përdorimit të vaksinës kundër lisë së majmunëve, pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli emergjencë shëndetësore globale. Komisioni Europian ka zgjatur autorizimin e vaksinës së kompanisë për linë, Imvanex, për ta përfshirë në mbrojtjen kundër lisë së majmunëve, në linjë me rekomandimin e vëzhguesit shëndetësor të BE-së. Miratimi vlen për të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Europian si dhe në Islandë, Lihtenshtajn e Norvegji.

Të shtunën, më 23 korrik, OBSH-ja e shpalli linë e majmunëve emergjencë shëndetësore globale. Nga lia e majmunëve deri tani janë prekur 16 mijë persona, në 72 shtete të botës. Në një tjetër zhvillim, shtetet anëtare të Bashkimit Europian duhet të nisin përgatitjet për valën e re të pandemisë COVID-19, që mund të ndodhë në vjeshtë e në dimër. Këtë e deklaroi sot shefja për Shëndetësinë e Bllokut, duke theksuar se ka pasur “rritje shqetësuese” të shpërthimeve të virusit.

Komisionerja e Bashkimit Europian për Shëndetësinë dhe Sigurinë Ushqimore, Stella Kyriakides, paralajmëroi edhe se nuk ka vend për vetëkënaqësi, pasi pandemia nuk ka përfunduar. Për radion shtetërore të Qipros, deklaroi:

Fatkeqësisht, pandemia ka treguar rritje shqetësuese në disa shtete. Në dy muajt e fundit, ne jemi duke u përgatitur për vjeshtën dhe dimrin, të vetëdijshëm plotësisht se vala e re e pandemisë nuk mund e nuk duhet të rëndojë edhe më shumë ekonomitë e shoqëritë tona, veçanërisht në kohën kur ato janë prekur nga pushtimi rus i Ukrainës dhe inflacioni.

Kyriakides, e cila është nga Qipro, i tha radios së këtij shteti se “Komisioni Europian u ka kërkuar shteteve anëtare që të përshpejtojnë vaksinimin me doza përforcuese të popullsisë mbi 60 vjeç dhe të grupeve të ndjeshme”.

Këta muaj duhet të jenë muaj përgatitor… në mënyrë që sistemet tona shëndetësore të jenë gati për valën e re të mundshme, e cila, për shembull, mund të kombinohet me gripin stinor.