Aktualitet Politikë

Berisha mbledh Kryesinë e PD-së, flet për protestë të gjatë e të qëndrueshme!

Zgjedhja e Kryetarëve të Grupeve të Punës që do të drejtojnë e ndjekin në bazë aksionin politik të Partisë Demokratike, sot ishte në fokus të mbledhjes që Sali Berisha zhvilloi me Kryesinë e PD-së. Kryetari demokrat theksoi se “protesta e gjatë dhe e qëndrueshme, shkatërrimtare për këtë regjim, është jetike dhe vendimtare për të ecur në rrugën e demokracisë”.

Qytetarët presin veprimet e frontit për shpëtimin e Shqipërisë dhe ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për t’u dalë zot e për të mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë.

Berisha foli edhe zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm.

Ne si PD, kemi fillimin e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale. Këto primare dhe kjo procedurë janë dritë shprese për demokracinë e shqiptarët. Mbahen në kushte shumë të vështira, por kanë shpirtin e pluralitetit, kanë fundin e kryetarokracisë. Duhet të bëjmë gjithçka për një procedurë sa më transparente, të zgjidhen kandidatet më të mirë me votën e lirë.

Ndërsa foli edhe për situatën energjetike, akuzoi kryeministrin Rama se po përgatit katastrofën energjetike në vend që nuk lejon zbrazjen e digave deri në datën 1 shtator nën nivelin 284 metër. Sipas tij, sot digat janë nën 270 metër.

Duan të sjellin errësirën, që të justifikojnë aferën e tmerrshme të kontraktimit të dy gjeneratorëve gjigantë nga Bangladeshi në Vlorë, që shpenzojnë 520 mijë euro naftë dhe kanë qira ditore prej 92 mijë eurosh. Ky i zbraz digat, por dy gjeneratorë që punojnë me mazut, me përqindje të tmerrshme squfuri, që për Vlorën janë sikur të fusësh 100 mijë automjete që bëjnë 100 kilometra çdo ditë në Vlorë, për mjedisin e saj, një prokurim pa tender. Një kompani gjigante.

Duke komentuar shkarkimin e Gledis Nanos si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Berisha tha se “ai iku pasi ra në dijeni të aferave të Olsit dhe Çuçit”.

E vërteta është se ai pati fatin të bjerë në korrent dhe korrenti ishte afera e call-centerave. Skema ishte në Tiranë, vjedhja bëhej në Gjermani. Autoritetet gjermane iu drejtuan këtij. Iku Nano sepse 2.2 ton drogë në Itali nuk shkuan nga skafet, shkuan nga velat e klubit të Çuçit. Dolën velat transportuesit kryesore të drogës. Nuk ishte se po luftonte krimin ai, por pati naivitetin që të mos i mbulonte këto. Kush iku me të? Iku edhe drejtorja e agjencisë kundër larjes së parave. Nuk e njihja atë, sigurisht që ishte një emër formal në atë detyrë. Iku që agjencia të shndërrohet në agjencinë e larjes së parave të krimit.