Aktualitet

Berisha “non grata” në MB, kryeministri Rama publikon kopertinën e një libri të Enver Hoxhës!

Pas lajmit për shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit Berisha edhe nga Mbretëria e Bashkuar, reagoi kryeministri Rama. Në rrjetet sociale, publikoi kopertinën e librit të ish-diktatorit Enver Hoxha me titull “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”. Foton e shoqëron me mbishkrimin: “NO COMMENT” (pa koment).

Më herët, Rama sulmoi Berishën për mosvotimin e rezolutës për hedhjen poshtë të raportit të Dick Marty-t, që u miratua me shumicë votash.

Mosvotimi dje në Kuvend nga ana e të damkosurit si NonGrata (tanimë jo vetëm nga SHBA) i rezolutës për hedhjen poshtë në mungesë totale provash të raportit të Dick Marty, është një tjetër arsye neverie për politikën pa din e iman të kinse patriotëve kundër Kosovës!FLM të tjerëve!

Sa për dokrrat e tjera turbopatriotike, që e kanë kthyer politikën e jashtme të Kosovës në politikë të brendshme të Kosovës e Shqipërisë bashkë, Partia Socialiste e Shqipërisë as nuk i ka prodhuar as nuk i prodhon, as i ka çmuar e as i çmon ndryshe përveçse si kotësisht të dëmshme!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha iu përgjigj kryeministrit:

Për një arsye pune nuk isha, por deklarova votën “po” në Parlament. Thashë që do ta miratojmë këtë rezolutë. Kjo është kryesorja për pozicionin që unë kam. Ishte e vendosur që ne ta votojmë rezolutën. Obligimet e tjera nuk më lejuan të isha në Parlament në kohën kur u votua. Por, vota ime ishte pro. Unë e kam denoncuar raportin e Dick Marty-t në aulën e Kombeve të Bashkuara. E kam denoncuar në Parlamentin Europian dhe Këshillin e Europës.

E para, se nuk ka ndodhur një gjë e tillë dhe këtë nuk e ka thënë as Millosheviçi. Ata do e përdornin këtë si argumentin kryesor në gjyq. Së dyti, dokumentin ku Vladimir Vukçeviç thotë se raporti është i yni. Këto mjaftonin. Por nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë Edi Ramën. Nuk u votua raporti në Këshillin e Europës. U votua rezoluta. Askush nuk mund të thotë se shkulja e organeve për transplant nuk duhet të hetohet.

Dje, Edi Rama paraqiti në Kuvend një rezolutë, në të cilën dënon me të drejtë, raportin e Dick Marty-t. Por, siç është bërë publike që nga viti 2011 e gjer sot me dhjetëra herë, raporti i Dick Marty-t, me dokumente, e bazuar kjo që them, është i shkruar në masën 80 përqind nga Vladimir Vukçeviç, prokurori i krimeve të luftës të Serbisë. Këtë e pohon vetë ai.