Aktualitet

“Non grata” edhe nga Britania e Madhe, Berisha sfidon Londrën!

Pak më shumë se një vit nga shpallja “non grata” për korrupsion e Berishës dhe familjarëve nga Departamenti Amerikan i Shtetit, tani është Britania e Madhe që merr të njëjtin vendim për kryetarin demokrat. Sali Berisha, i cili prej pak kohësh ka rimarrë drejtimin e Partisë Demokratike, subjektit më të madh opozitar reagoi publikisht, gjatë konferencës së sotme për mediat dhe sfidoi Londrën zyrtare:

Në momentin e parë që qeveria e Britanisë së Madhe do të provojë, jo të gënjejë, një provë dhe fakt korrupsioni, do të marr çdo vendim ndaj vetes sime. Në lidhje me shpifjet ku bazohet vendimi i Sekretarit të Brendshëm, për akuzën se kam lidhje të qarta me krimin e organizuar, është një akuzë që nuk është bërë kurrë as nga kundërshtarët e mi dhe as nga një institucion kombëtar e ndërkombëtar. Sot nuk gjej një shqiptar të dalë e të thotë me cilin kriminel ka bashkëpunuar Berisha. Të gjithë kanë parë si i bëri Rama këta deputetë, investitorë strategjikë.

Për vendimin e Home Secretary u njoftua me një letër:

Disa orë pasi Edi Rama dha lajmin për vendimin që do të merrte qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, jam njoftuar me një letër se Home Secretary ka marrë vendimin për moslejimin e hyrjes sime në MB me arsyetimin, se ju keni lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë, të cilët kanë paraqitur një rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe në MB dhe, se ju jeni i gatshëm t’i përdorni këto lidhje për të avancuar ambiciet tuaja politike dhe për korrupsion dhe pasurimin tim dhe rretheve të njerëzve pranë meje, ku si shembull përmendet ish-këshilltari për zgjedhjet Damir Fazlliç, të cilin sipas vlerësimit të tyre, unë e kam mbrojtur kur, kundër tij kanë dalë prova inkriminuese.

Ndonëse ashtu si thotë ky vendim është konfidencial dhe ndonëse përfaqësuesit e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë kane deklaruar se nuk do të publikojnë emrat, unë kam marrë vendimin ta bëj publik për qytetarët shqiptarë, para të cilëve unë kam qenë gjithnjë i vërtetë, me të mirat dhe gabimet, kam luftuar gjithnjë në mbrojtje të interesit të tyre, ashtu siç e kam vlerësuar unë.

Eshtë në vazhdën e shpifjeve për interesa të të njëjtit grup, që ka sponsorizuar edhe vendimin e Sekretarit Blinken, të bazuar në shpifje dhe lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe multimiliardierit George Soros. Unë kam qenë në dijeni të përpjekjeve të diplomatëve të Departamentit të Shtetit, që partnerët ndërkombëtarë t’i bashkangjiten vendimit të tyre, absolutisht pa asnjë bazë, me qëllim rritjen e presionit ndaj meje dhe justifikimin e vendimit të tyre bazuar në shpifje.

Por, një gënjeshtër, sado të përsëritet mund të bëhet e besueshme, por kurrë e vërtetë dhe asnjë fuqi në botë nuk do të jetë në gjendje të më detyrojë që të pranoj gënjeshtrën për të vërtetë apo t’i nënshtrohem mashtrimit, për të cilin me prova, këto muaj, kam argumentuar se nuk synon skajimin e Sali Berishës, por kthimin e Shqipërisë në një vend pa opozitë, së cilës i rripet çdo pasuri, e nga e cila shqiptarët ikin nga sytë këmbët. Kjo synon mbajtjen në pushtet të një qeverie, me e korruptuara në Europë, e cila, duke dhunuar votën e qytetarëve, ka rivendosur në vend monizmin e plotë dhe vjedh e sakrifikon Shqipërinë e shqiptarët, e çon shtetin në falimentim për të blerë e mbajtur pushtetin. Sikundër ritheksoj edhe një herë, se në momentin e parë që qeveria e MB, ose çdo qeveri tjetër e huaj apo kushdo do të provojë – jo të gënjejë – një provë dhe fakt korrupsioni, unë do të marr çdo vendim ndaj vetes sime.