Aktualitet

Sali Berisha “non grata” në Britani, ambasada britanike nuk jep emra!

Ambasada e Britanisë së Madhe në vendin tonë reagoi sot, pasi më herët gjatë ditës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha njoftoi në një konferencë për mediat se u lajmërua nga qeveria britanike se ishte shpallur “non grata”. E pyetur nga News 24 nëse në listën e qeverisë britanike ka emra të tjerë nga politika shqiptare që janë shpallur “non grata”, selia diplomatike e Londrës në Tiranë shmangu publikimin e emrave dhe nuk dha hollësi lidhur me numrin e tyre.

Mbretëria e Bashkuar ka ndërmarrë veprime ndaluese ndaj disa individëve shqiptarë me lidhje të dokumentuara dhe gjerësisht të publikuara me kriminalitetin e korrupsionin. Nuk mund të zbulojmë emrat ose numrin e personave për veprimet që lidhen me emigracionin. Eshtë një politikë e kahershme e Ministrisë së Brendshme britanike, që të mos komentojë mbi statusin e migracionit të individëve.

Berisha njoftoi sot në një konferencë për shtyp se është shpallur “non grata” nga Britania e Madhe për lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar. Në maj të vitit të kaluar ishte Departamenti Amerikan i Shtetit që ish-kryeministrin dhe familjarët e tij, i shpalli “non grata”, duke iu ndaluar hyrjen në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak të “akteve të rënda të korrupsionit” dhe “minimit të demokracisë”.