Politikë

Berisha: Përgjegjës Rama dhe Çuçi për atentatin ndaj Ndrecës në Vaun e Dejës! Meta: Akt cubash të pabesë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas ngjarjes në Vaun e Dejës, ku kreut të degës Benard Ndrecës iu bë atentat me tritol. Berisha, në një dalje për mediat, bëri përgjegjës kryeministrin Edi Rama dhe ministrin Bledi Çuçi.

“Me këtë akt terrorist Edi Rama inauguron çeljen e fushatës së tij elektorale. Kjo përbën krim të shëmtuar, përbën një akt të pashembullt në historinë e zgjedhjeve kur një drejtues kryesor i një dege të PD sulmohet apo ndaj tij organizohet një atentat për likuidimin e tij. Vau i dejës dhe mbarë Shqipëria janë sot më të vendosur se kurrë në fitoren e këtyre zgjedhjeve. Unë kam biseduar në telefon me Benardin, Zef Hilën dhe u shpreh atyre mbështetjen dhe solidaritetin tim të plotë. Dënoj këtë krim të shëmtuar, specialistët e tritolit janë në kontrollin qeveritar shtetëror. Pasi dështuan me të gjitha mënyrat në Vaun e Dejës, së fundi zgjodhën atë me ekstremen, por edhe me të dështuan. Duke dënuar këtë akt të narko-shtetit bëj përgjegjës Edi Ramën dhe ministrin e familjes Çuçi, pasi policia e Vau të Dejës dhe shefi i komisariatit sillen si seksion i PS. Me sjelljet e tyre militanteske, të gjitha dyshimet shkojnë se janë organizatorët e këtij akti. U bëj thirrje demokratëve të vazhdojmë këtë betejë se ky akt i sotëm është dëshmi e një përpëlitjeje të një organizate kriminale të kryesuar nga Rama që ka humbur çdo shpresë dhe nuk nguron as aktet më ekstreme për të terrorizuar”, tha Berisha.

Edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ashtu si aleati i tij Berisha, ka akuzuar Qeverinë për atentatin e ndodhur në Vaun e Dejës. Meta e konsideron akti terrorist, akt cubash të pabesë me qëllim frikësimin e opozitarëve.

“Solidaritetin më të fuqishëm me Bernard Ndrecën, Kryetarin e PD në Bashkinë e Vaut të Dejës për aktin terrorist me të cilin u provokua sot së bashku me familjen e tij. Një regjim i pashpresë për t’u ballafaquar me qytetarët, që vetëm i ka mashtruar dhe vjedhur, inskenon akte të tilla cubash të pabesë me qëllim frikësimin e opozitarëve.

Asgjë nuk e ndal Opozitën e Bashkuar me të gjthë qytetarët e ndershëm për të ndëshkuar regjimin e bandave më 14 Maj! Asgjë nuk e ndal Fitoren e Zef Hilës në Bashkinë e Vaut të Dejës dhe Fitoren 5 me 0 në të gjithë Qarkun e Shkodrës”, shkruan Meta.