Aktualitet Politikë

Berisha: Protestat nisin shumë shpejt!

Sot në një bashkëbisedim online me qytetarë, kryetari demokrat, Sali Berisha tha se “protestat do të nisin shumë shpejt”.

E vërteta është se polarizimi në këtë vend po rritet me shpejtësi dhe shtresa e mesme po shkon drejt asgjësimit. Të varfrit po bëhen gjithnjë e më të varfër. Edi Rama nuk e pranon votën dhe gjithë ky zhvillim dramatik, kjo përmbysje në përbërjen e shtresave të shoqërisë sonë, ka si shkak më themelor, mospranimin e votës nga Edi Rama.

Protestat janë rruga për të cilat është përcaktuar Fronti për Shpëtimin e Shqipërisë. Ju garantoj se do të fillojnë shumë shpejt. Mund të jenë shtyrë, por edhe shtyrja e tyre bëhet për shumë aspekte, e padurueshme.

Protestat e gjithanshme do të jenë rruga për të rikthyer në Shqipëri, shpresën, votën e lirë dhe për të dalë nga ky regjim absolutar, sot i vetmi në Europë pas atij të Putinit e Lukashenkos.

Duke vënë në dukje se “partia që drejton mbështet të gjitha shtresat sociale”, bëri thirrje për protesta:

Biznesi i vogël, së pari garantoj se nga 200 lekë që paguan energji, do të zbresë aty ku ishte, te 60 lekë. Pra, do të ulet me tre herë çmimi i energjisë. Kjo jo vetëm për biznesin e vogël, por për të gjitha bizneset në Shqipëri.

Së dyti, biznesi i vogël do të ketë lehtësira shumë të mëdha fiskale. Do të hiqet taksa mbi të. Do të kalohet për sigurimet shoqërore në nivelin 10 përqind.

Mbi të gjitha do të mbrohet biznesi i vogël nga peshkaqenët e mëdhenj, oligarkët e qeverisë. Bizneset e tyre bëjnë evazion dhe vrasin konkurrencën. I bëj thirrje biznesit të vogël, të përgatitet për grevë të përgjithshme!

PD mbështet me gjithë fuqinë e saj Sindikatën e Pedagogëve. Kërkesat e tyre janë të drejta dhe jetike për të shpëtuar rrokullisjen e madhe të sistemit arsimor. PD do i mbështesë protestat dhe u bën thirrje mësuesve që të bashkohen me protestën e tyre e të përgatiten për një grevë të përgjithshme që do të trondisë nga themelet regjimin monist.
U bëj thirrje edhe studentëve e gjimnazistëve që të mbështesin protestën e 5 tetorit, si protestë e të gjithë sistemit arsimor.

Do të përgjysmohen kostot e arsimimit për studentët. Do të ketë bursa e mesatarja do të shkojë aty ku ka qenë. Do të bëhet gjithçka për krijimin e sa më shumë vendeve të punës, për nxitjen e bizneseve të të rinjve, për kualifikimin e arsimin e tyre profesional.

Ndërkohë, Berisha premtoi se “diaspora do të votojë në zgjedhjet e ardhshme”.

Ne do bëjmë gjithçka që diaspora shqiptare të votojë në zgjedhjet e ardhshme. Por do të bëjmë gjithçka për një bashkëpunim sa më të ngushtë me diasporën shqiptare.  Do të krijojmë të gjitha mundësitë që diaspora të investojë në Shqipëri, të angazhohet në institucionet administrative, zyrtare politike të vendit. E konsiderojmë diasporën, faktor madhor për një Shqipëri të zhvilluar.