Aktualitet

Berisha kallëzon në SPAK gjyqtaren Irena Gjoka! GJKKO shtyn për nesër gjyqin ndaj ish-kryeministrit!

Shtyhet seanca gjyqësore ndaj Sali Berishës. Mësohet se seanca për ish-kryeministrin është vendosur për ditën e nesërme në orën 14:30.

Kujtojmë se seanca për ish-kryeministrin Sali Berisha është ndërprerë dhe u prit të riniste sot në orën 18:00, pasi mbrojtja e tij kërkoi kohë të njihet me aktet.

Teksa ish-kryeministri Sali Berisha ka refuzuar të paraqitet në GJKKO për t’u marrë në pyetje, avokati i tij Genci Gjokutaj ka mbërritur pranë ambienteve të gjykatës.

Po ashtu mësohet se edhe avokati Sokol Mengjezi ndodhej në gjykatë me prokurë të posaçme në mbrojtje të ish-kryeministrit Berisha.

Avokatët e Sali Berishës kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Në një deklaratë për mediat avokati i ish-kryeministrit Genc Gjokutaj tha se kanë ngritur padi në SPAK ndaj gjyqtares së çështje Irena Gjoka për shpërdorim detyre. Sipas Berishës gjyqtarja Irena Gjoka ka dhënë një vendim në kundërshtim me Kushtetutën.

‘Kemi bërë kallëzim në SPAK ndaj gjyqtares Irena Gjoka, për veprën penale të ‘shpërdorimit të detyrës’. Gjykimi është ndërprerë për të gjykuar këtë kërkesë. Po presim për vendimin e shqyrtimit të kërkesës për përjashtim. Ne nuk vijmë këtu për 3 orë e të lexojmë 20 mijë faqe. Berisha na ka autorizuar ne.’- tha Gjokutaj.