Sport

Betejë në distancë për titullin kampion, nesër ndeshjet e Kategorisë Superiore

Kategoria Superiore po shkon drejt mbylljes së sezonit dhe ende ka enigma për fatet e skuadrave, duke nisur që nga lufta për titullin kampion. Në ‘pole position’ janë Teuta dhe Vllaznia, edhe pse matematikisht në lojë janë edhe Partizani e Laçi. Detyrën më të vështirë do ta ketë pikërisht Vllaznia që në Loro Borici të Shkodrës do të presë kurbinasit.

Trajneri Brdaric theksoi se edhe kjo ndaj kurbinasve është një ndeshje si gjithë të tjerat dhe se skuadra e tij do të bëjë në fund llogaritë e titullit.

Vllaznia është në pikë të barabarta me Teutën me këtë të fundit që do të luajë ndaj Apolonisë skuadër që ka rënë nga kategoria, por skuadra e Edi Martinit do të ketë sytë edhe nga Vllaznia, gjë që e pranoi vetë trajneri shkodran.

Jemi në fundin e kampionatit dhe po e marrim këtë ndeshje si gjithë sfidat e tjetra. Në çdo sfidë hyjmë për të marrë maksimumin tonë. Jemi të fokusuar dhe do të mundohemi të bëjmë lojën tonë për të marrë sërish rezultat. përsa i përket titullit. Është një betejë në çdo fushë të superiores, por ne duhet të përqendrohemi në ndeshjen tonë dhe të luajmë për fitore. Kur të mbarojë sfida do të shohim rezultatin dhe do të bëjmë llogaritë e sezonit thotë Thomas Brdaric.

Nesër në orën 17:00 do të luhen ndeshjet Teuta-Apolonia, Vllaznia-Laçi, Bylis-Partizani, Tirana-Skënderbeu dhe Kukësi-Kastrioti. Të gjitha këto përballje do të transmetohen në platformën Digitalb.