Bota

Biden firmos sot zhbllokimin e 7 miliard dollarëve për afganët!

Mediat amerikane sinjalizojnë se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden do të nënshkruajë sot një urdhër-ekzekutiv, për të zhbllokuar rreth 7 miliard dollarë të rezervave afgane, që ishin ngrirë pasi talebanët morën kontrollin e shtetit gushtin e vitit të kaluar.

Disa media kanë cituar zyrtarët amerikanë që janë në dijeni të këtij vendimi, të kenë thënë se kjo lëvizje nga presidenti Biden do të lejojë që gjysma e rezervave të përdoren si ndihmë për afganët, por talebanët nuk do të lejohen që të kenë qasje në këto para’.

Gjysma tjetër e rezervave do të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto rezerva do të përdoren për të financuar dëmshpërblimin e viktimave amerikane të terrorizmit, përfshirë edhe për pretendimet ndaj talebanëve nga familjet e viktimave të sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë do ta nënshkruajë urdhrin ekzekutiv më 11 shkurt. Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar menjëherë për raportimet e mediave. Shtëpia e Bardhë po përballet me presion për të zhbllokuar fondet për të ndihmuar afganët, të cilët po përballen me krizë ekonomike dhe financiare, që po kërcënon mbi gjysmën e popullsisë me uri.

Gjatë kësaj jave, zyrtarët talebanë po mbajnë bisedime në Gjenevë me organizatat ndërkombëtare, për të kërkuar qasje në ndihmën humanitare, që është ndaluar, pasi ekzekutivi “de facto” në Kabul nuk është njohur nga asnjë qeveri në botë, për shkak të shqetësimeve për të drejtat dhe liritë e njeriut.

Afganistani ka mbi 9 miliard dollarë rezerva, përfshirë edhe mbi 7 miliard dollarë rezerva që mbahen në SHBA. Pjesa tjetër e rezervave gjenden në Gjermani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Zvicër dhe Katar.