Rajoni

Spanja rikonfirmon njohjen për pasaportën kosovare/Sa i përket pavarësisë, nuk e njeh!

Madridi zyrtar rikonfirmon qëndrimin se heqja e vizave, nuk nënkupton njohje të pavarësisë së Kosovës nga Spanja. Për Radion Evropa e Lire, Elena Aljarilla Cortezon, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme spanjolle deklaroi:

Të gjitha shtetet e zonës Schengen që nuk e njohin Kosovën, e kanë pranuar përdorimin e pasaportave të zakonshme kosovare. Në asnjë mënyrë, kjo nuk nënkupton njohje të Kosovës.

Prej 1 janarit, shtetasit e Kosovës me pasaporta biometrike janë në gjendje të udhëtojnë lirshëm në shtetet e zonës Schengen, pas hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave.

Por, vetëm më 5 janar u bë e qartë se ata do të mundë ta vizitojnë edhe Spanjën. Departamenti për Emigracionin dhe Çështjet e Brendshme të Komisionit Europian njoftoi se tani, Spanja e njeh pasaportën kosovare.

Spanja e përkrah dhe do të vazhdojë ta mbështesë dialogun Beograd-Prishtinë, si një mënyrë e zgjidhjes së kësaj çështjeje e kërkon ta kufizojë ndikimin e saj te qytetarët.

Spanja është në mesin e pesë shteteve të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës e ku bëjnë pjesë edhe Greqia, Qipro, Sllovakia dhe Rumania. Por, të gjitha këto shtete njohin dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga autoritetet në Kosovë.

Vendimin e Spanjës për njohjen e pasaportës e kanë përshëndetur ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, si dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Qytetarëve të Kosovës që kanë pasaporta biometrike, liberalizimi i vizave iu mundëson të qëndrojnë deri në 90 ditë brenda gjashtë muajsh në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.

Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më 1 janar të këtij viti nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.

Kjo pavarësisht faktit se që nga viti 2018, Komisioni Europian pati konfirmuar disa herë që Kosova kishte përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por disa shtete shprehnin rezerva.