Aktualitet

Blerina Bala u zgjodh mes tensioneve kryebashkiake e Himarës, Rama: Sherr primitiv!

Ndërsa Këshilli Bashkiak i Himarës komandoi Blerina Balën në krye të Bashkisë së Hiamarës, me 15 vota pro, mësohet edhe si kanë votuar këshilltarët. Bala u mbështet nga 9 socialistë, si dhe nga një anëtar nga PSD-ja, MEGA, LZHK-ja, PD-ja, Rithemelimi, Partia e Lirisë.

Votimi u parapri nga tensione, ndërsa reagoi edhe kryeministri Edi Rama:

Zgjedhja e sotme nga Këshilli Bashkiak i Himarës, me 15 vota pro dhe vetëm 4 kundër, e nënkryetares së bashkisë, Blerina Bala, si kryetare në detyrë është një zhvillim pozitiv për vazhdimin e punës së qeverisë vendore.

Përpjekja e dështuar e një grushti individësh të nxitur për ta penguar këtë zhvillim të bazuar në detyrimin përkatës ligjor të Këshillit Bashkiak, tregoi qartë faktin e thjeshtë se shumica e madhe e himariotëve nuk i përkasin llogores së konfliktit, përçarjes dhe amplifikimit absurd të një sherri primitiv, i cili ushqehet për interesa dhe hesape që s’kanë asnjë lidhje me interesat e Himarës.

Tensionet që fillimisht çuan në shtyrjen e mbledhjes së Këshillit Bashkiak u krijuan nga mbështetës të Fredi Belerit, i dënuar me dy vjet burg për korrupsion zgjedhor. Beleri fitoi në vendoret e 14 Majit 2023, por nuk është lejuar nga gjykatat të bëjë betimin. Mbështetësit e tij kërkuan largimin e prefektit të qarkut Vlorë, Vangjel Tavo ndaj të cilit shpërthyen në ofendime e madje dhe e pështynë.

Në kushtet e bllokimit, mbledhja me dyer të mbyllura e Këshillit Bashkiak të Himarës u zhvillua në një sallë tjetër. Për mediat, pati edhe një prononcim nga Vangjel Tavo, i cili u shpreh se “kjo është një stuhi në gotë që do të marrë fund shpejt”:

Interesa të vogla kanë marre peng komunitetin himariot. Unë, Kadastra dhe bashkia do të fillojmë pajisjen me hipoteka të të gjithë himariotëve.

Sa i përket rastit të Bashkisë Himarë që mbeti pa kryetar, pas dorëheqjes së kryebashkiakut në detyrë, Jorgo Goro, i cili u arrestua për tjetërsim prone, ja se çfarë thuhet në Nenin 61, pika 5:

Me përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë, sipas këtij neni, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, funksionet e tij i kryen  Zv. kryetari i bashkisë. Në rastet kur ka më shumë se një zëvendëskryetar bashkie, këshilli përkatës, me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, cakton një nga zëvendëskryetarët të kryejë funksionet e kryetarit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.