Aktualitet Politikë

Çmimi i naftës, deputetja Tabaku kërkon të ulet Taksa e Qarkullimit!

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku reagoi sërish sot në lidhje me rritjen e çmimit të karburanteve. Në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku shprehet se “sot ekonomia shqiptare është duke përjetuar një krizë të jashtëzakonshme konsumi” dhe që sipas ligjvënëses së opozitës, “vjen si rezultat i korrupsionit” dhe atij që e quan “arrogancë qeveritare”. Më tej, nënvizon se “rritja e çmimeve në zinxhirë ka ardhur si rezultat i rritjes së çmimit të energjisë elektrike, por ajo që është më e rëndësishme, e karburantit”.

Vendimet abuzive të Bordit të Transparencës kanë krijuar këtë situatë në ekonomi. A nuk mendoni ju se më mirë do ishte të ulej taksa e qarkullimit në 4 lekë për litër, në vend të 27 lekë për litër? A nuk mendoni ju se do ishte më mirë që 5 kompanitë e naftës mos të uleshin me qeveritarët për të marrë vendimet. A nuk mendoni që do të ishte më mirë që sot fermerët, bizneset, familjet në nevojë të kishin një çmim më të ulët karburanti. Unë mendoj se përgjigjja është e thjesht. Përgjigjja qëndron në korrupsionin dhe arrogancën dhe paaftësinë e qeverisë për të dalë nga kjo krizë dhe për të ndihmuar shqiptarët.

Sipas deputetes demokrate Jorida Tabaku, “shqiptarët e paguajnë karburantin më të shtrenjtë në rajon” e thekson:

Bordi Oligarkisë  i karburantit dhe korrupsionit! Shqiptarët sot paguajnë  karburantin më të shtrenjtë në rajon. Pse? Pasi kur hedhim  karburant në makinën tonë 60% e çmimit për litër janë taksa. Pasi bordi transparencës është në fakt bordi oligarkisë që vendos çmime abuzive në kurriz të qytetarëve. Imagjinoni sikur në këtë kohë krize të ulej taksa qarkullimit  për makinat sikur tregu dhe jo bordet e oligarkisë të vendosnin çmimet. Do të kishim karburant më të lirë! Çmime produktesh më të ulëta dhe qytetarë që do të kishin më shumë për të shpenzuar.