Bota

COVID-19/ OBSH: Rritet me 40% numri i viktimave në Europë

Në Europë, viktimat nga koronavirusi janë rritur me 40% krahasuar me një javë më parë e rritje të frikshme po njohin dhe shifrat e të infektuarve në shumë vende. Zëdhënësja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Margaret Harris i tha BBC-së se “OBSH-ja është e shqetësuar se repartet e terapisë intensive po mbushen me njerëz shumë të sëmurë nga COVID-19”.

Rusia, raportoi një rekord ditor prej 320 viktimash duke e çuar totalin në 26589. Ka patur një rritje të ndjeshme edhe në Itali po ashtu, me 221 viktima të raportuara në 24 orët e shkuara. Numri i viktimave në Austri shkoi në mbi 1 mijë të martën ndërsa në Belgjikë, mjekëve u është kërkuar të vazhdojnë të punojnë edhe nëse janë prekur nga virusi pasi sistemi shëndetësor është në rrezik kolapsi. Në Francë, autoritetet po diskutojnë për marrjen e masave më strikte me ministrin e brendshëm që paralajmëroi njerëzit të përgatiten për vendime të vështira. Sllovakia ndërkohë do të fillojë të testojë të gjithë popullatën nga kjo fundjavë në përpjekje për të evituar masat më të ashpra.

Italia, Spanja, Franca, Irlanda, Çekia e pjesërisht Britania janë mes atyre që kanë vendosur kufizime të reja anti-COVID e që në vendin fqinj çuan në protesta të dhunshme. Në disa qytete italiane, policia përdori gazlotsjellës për të shpërndarë turmat, si dha ka të shoqëruar.