Bota

DASH për protestat në Beograd: Dhuna është e papranueshme!

Departamenti Amerikan i Shtetit u bëri thirrje autoriteteve në Serbi që të bashkëpunojnë me misionin e OSBE-së në hetimin e pretendimeve për parregullsi zgjedhore, duke theksuar se dhuna ndaj gazetarëve, vëzhguesve dhe zyrtarëve zgjedhorë është “e papranueshme” dhe se legjitimiteti i proceseve demokratike varet nga transparenca dhe gatishmëria e të gjithë pjesëmarrësve për të pranuar vullnetin elektoral.

“Ne jemi të fokusuar në bashkëpunimin me Serbinë për forcimin e qeverisjes demokratike dhe sundimin e ligjit, përmirësimin e bashkëpunimit rajonal, vazhdimin e rritjes ekonomike dhe përshpejtimin e progresit të Serbisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. E ardhmja e Serbisë është në Perëndim”, thuhet në përgjigjen me shkrim të DASH ndaj pyetjes së Zërit të Amerikës për protestat e reja në Beograd që u kthyen të dhunshme të dielën.

Deklarata përsëri mirëpret “konkluzionet paraprake të misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE ODIHR se zgjedhjet e 17 dhjetorit u ofruan votuesve një zgjedhje të alternativave politike.”

 “Vëmë re me shqetësim gjetjet e ODIHR-it se zgjedhjet u dëmtuan nga gabime të shumta procedurale, presione ndaj zyrtarëve publikë dhe keqpërdorime të burimeve publike dhe se këta faktorë, së bashku me avantazhet sistematike të partisë në pushtet, krijuan kushte të padrejta. Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Serbisë që të bashkëpunojë ngushtë me OSBE-në për të zgjidhur këto shqetësime”, thuhet në deklaratën e transmetuar nga Zëri i Amerikës .

Departamenti i Shtetit thotë se akuzat për parregullsi, “të raportuara nga ODIHR dhe ekipet e tjera të vëzhgimit të zgjedhjeve” duhet të hetohen.

“Dhuna e drejtuar ndaj autoriteteve zgjedhore, gazetarëve dhe vëzhguesve të akredituar është e papranueshme. Partitë duhet të raportojnë incidentet e parregullsive zgjedhore përmes kanaleve të duhura ligjore. Legjitimiteti i proceseve demokratike varet nga transparenca dhe vullneti i të gjitha palëve, qofshin ato fituese apo humbëse, për të respektuar vullnetin e popullit të shprehur në votim”, përfundon reagimi i Departamentit të Shtetit.