Bota

Debatet mbi të drejtën e abortit në Amerikë, Biden firmos urdhër ekzekutiv!

Presidenti amerikan, Joe Biden nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të mbrojtur aksesin e grave ndaj abortit e kontraceptivëve, pasi muajin e kaluar Gjykata e Lartë rrëzoi një vendim të mëparshëm që legalizonte abortin në Amerikë. Masat që përfshihen në urdhrin ekzekutiv, synojnë lehtësimin e disa pasojave, me të cilat mund të përballen gratë që kanë nevojë për abort, për shkak të vendimit të Gjykatës. Biden e pranoi se urdhri është i kufizuar, duke thënë se do të duhej të vepronte Kongresi për të rikthyer abortin në mbi 10 shtete, ku kufizimet e rrepta ose ndalimi i plotë i tij ka hyrë në fuqi pas vendimit të Gjykatës së Lartë.

Mënyra më e shpejtë për të rikthyer të drejtën kushtetuese për abort është miratimi i një ligji mbarëkombëtar. Sfida me të cilën përballemi kërkon të votoni. Ka zgjedhje në nëntor, pra votoni, votoni, votoni!

Presidenti Biden nxiti veçanërisht gratë të dalin të votojnë në zgjedhjet e Kongresit në nëntor, duke thënë se “mënyra më e shpejtë për të kthyer mbrapsht përmbysjen e të drejtave të abortit nga Gjykata e Lartë është zgjedhja e një shumice mbizotëruese demokrate në Kongres, për të miratuar një ligj që t’i garantojë ato të drejta”.

Kjo është rruga më e shpejtë në dispozicion. Eshtë shpresa dhe bindja ime e fortë që gratë do të votojnë në numër rekord, për të rifituar të drejtat që u janë marrë nga gjykata.

Çështja mund të kontribuojë në mobilizimin e demokratëve në zgjedhjet në nëntor, kur republikanët kanë një shans për të marrë kontrollin e Kongresit Amerikan. Aktualisht, demokratët mbajnë një shumicë të vogël në Dhomën e Përfaqësuesve dhe kontrollojnë Senatin e ndarë në mënyrë të barabartë, vetëm përmes votës së zv.presidentes Kamala Harris. Biden paralajmëroi se nëse pas zgjedhjeve, republikanët marrin kontrollin, pritet të miratojnë një masë për ndalim mbarëkombëtar të abortit, edhe pse siç theksoi, do t’i vinte veton kësaj mase.

Urdhri ekzekutiv udhëzon Departamentin e Shëndetësisë të ndërmarrë veprime për të mbrojtur dhe zgjeruar aksesin ndaj abortit me ilaçe të miratuara nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave. Po ashtu, kreu i Shtëpisë së Bardhë udhëzoi departamentin, që të garantojë qasjen e grave në kujdes mjekësor urgjent, shërbimet e planifikimit familjar dhe metodat kontraceptive. Presidenti Biden e ka dënuar vendimin e gjykatës.