Sociale

“Dembelët” e Tiranës! 42% të papunë, ekspertët: Shifrat të fryra

Kanë ngjallur debate shifrat e fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave INSTAT sipas të cilave Tirana ka nivelin më të lartë të dembelizmit në raport me qytetet e tjera.

42% e kryeqytetasve, nuk janë në marrëdhënie pune, por as nuk po kërkojnë për t’u punësuar.

Instituti i Statistikave ka marrë në analizë 3 muajt e fundit të 2022-shit dhe kryeqyteti renditet për herë të parë në krye të listët për popullsinë jo aktive, duke lënë pas Lezhën, qytet që për shumë vite ishte i pari.

Ekspertët e punësimit thonë se shifrat janë të fryra dhe jo aktuale.

Erion Muça, Ekspert për Punësimin: Shifrat janë disi të ekzagjeruara në këndvështrimin tim. Së pari nuk marrin parasysh nivelin e informalitetit në Tiranë. Ne e dimë shumë mirë që kemi profesionistë dhe zanatçinj, kemi një bojaxhi, hidraulik, mekanik, që ofrojnë shërbim në shtëpitë e njerëzve duke marrë para cash për shërbimin dhe duke mos u deklaruar.

Tirana është ndër ato qytete ku shumë individë mund të jenë të papunë, por nuk paraqiten tek Zyrat e Punës për t’u deklaruar si punëkërkues, pasi nuk kanë besim tek këto zyra, tek ndërmjetësimi i tyre. Një arsye tjetër që ka ndikuar në fryrjen e shifrave është emigracioni. Nëse në një vit ikin 30 mijë njerëz automatikisht rritet më 30-40% numri i të papunëve ekonomikisht joaktivë.

Dembelët janë ata që nuk janë as në punë e as në shkollë, por qëndrojnë në pasivitet të plotë dhe mbahen nga paratë e emigrantëve ose të anëtarëve të tjerë të familjes. Ky kontigjent sado i lartë të jetë tregon që shifra prej 42% është shumë e fryrë, sepse nuk tregon realitetin.