Aktualitet Sociale

Të rinjtë nuk e gjejnë veten në tregun e punës, papunësia rritet më tej në tremujorin e tretë!

Aktiviteti ekonomik në vendin tonë kulmoi në tremujorin e tretë të vitit, për shkak të zhvillimeve të jashtëzakonshme në turizëm, ndërsa prodhimi bujqësor është në pikun e tij, por tregu i punës shfaqi dobësi në punësimin e të rinjve. Pas pandemisë, treguesit e punësimit të të rinjve janë përkeqësuar. Në krahun tjetër, sektorët e ekonomisë gjenden në emergjencë për punonjës. Të dhënat e INSTAT-it referojnë se në tremujorin e tretë të vitit rreth 75 mijë të rinj të moshës 15-29 vjeç ishin të papunë, me një shtesë 5300 persona nga e njëjta periudhë e 2022-shit.

Në qershor-shtator 2023, papunësia ndër të rinj ishte në nivelin më të lartë që nga tremujori i parë i vitit 2021, kur ekonomia po përjetonte një valë të fortë të pandemisë. Treguesi i papunësisë tek të rinjtë është sinjal negativ në një kohë që kjo grup-moshe është gjithnjë e në tkurrje nga emigracioni i lartë dhe rënia e lindjeve.

Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 22,0%. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022 është rritur me 1,6 pikë përqindje.

Krahasuar me tremujorin e dytë 2023, ky tregues është ulur me 0,6 për qind. Shkalla e papunësisë për grup-moshën 30-64 vjeç është 7,6%. Në terma vjetorë, ky tregues është ulur me 0,1 pikë përqindje dhe krahasuar me tremujorin e mëparshëm ka një ulje me 0,1 pikë përqindje.

Rritja e papunësisë te të rinjtë në një kohë që totali i tyre është në rënie po tregon se tregu i punës ka problematika te të rinjtë. Sektori i forex all që ishte një punëdhënës i madh i të rinjve të arsimuar po kalon një periudhë jo të mirë nga hetimet ndërkombëtare që kanë çuar në mbylljen e shumë kompanive. Në anën tjetër, oferta për punë e bizneseve shqiptare shpesh nuk preferohet nga të rinjtë.

Modeli ekonomik i bazuar në krahun e lirë të punës, nuk preferohet nga brezi i ri që e sheh më me leverdi emigrimin se të fillojë punë në një fabrikë fasoni ose në një kompani ndërtimi.

Tregu i punës në vendin tonë gjithnjë ka vuajtur nga një hendek ndërmjet ofertës dhe kërkesës për punës. Oferta për punë dominohet nga profesionet elementare që nuk kërkojnë aftësi, teksa punëkërkuesit shpesh janë më arsim të lartë.

Por, nga ana tjetër, arsimi nuk i përmbush kërkesat e bizneseve për aftësi. Në vijimësi, bizneset ankohen se profesionistët që prodhon sistemi arsimor nuk janë të aftë dhe shpesh duhet kohë e investime shtesë për formimin e tyre./Monitor