Politikë

Demokratët mblidhen në Kukës, Berisha dhe Bardhi konfirmojnë mbështetjen për Emri Vatën

Mbledhja e deputetëve të Partisë Demokratike këtë të martë u zhvendos në Kukës, ku treguan se janë në mbështetje të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Emri Vata. Sali Berisha para takimit me deputetët, zhvilloi një bisedë me bizneset e zonës dhe kërkoi nga kuksianët që të nisin kthesën, e cila thotë se është bërë jetike për vendin.

“Vendi ka një nevojë jetike për një kthesë. Kthesa nga Kukësi është mesazhi më i fuqishëm që banorët e këtij rrethi u dërgojnë mbarë shqiptarëve. Le të jetë Kukësi stacioni ku ndalon rrokullisja e madhe e këtij vendi, ku ndalon shpërbërja e Shqipërisë, largimi masiv i shqiptarëve.”

Kreu i Rithemelimit akuzoi qeverinë se ka braktisur të gjithë veriun e veçanërisht Kukësin, duke e ndëshkuar zonën me një emigrim masiv të banorëve.

“Këtu u ndoq politika si të shpopullohet Kukësi. 20 mijë familje në vitin 2013, sapo erdhën në pushtet i hoqën nga ndihma ekonomike, nga ky qark. Nga Lekbibaj në Kala të Dodës, sepse nuk votuan PS. Dhe kjo krijoi largimin e parë masiv të banorëve nga qarku i Kukësit, sepse nuk kishin me çfarë të jetonin. Prandaj do të ketë një tjetër shpërndaje të ardhurash.”

Takimi me biznesin u pasua nga mbledhja e deputetëve, që ishte e fokusuar te reforma zgjedhore, teksa Berisha ia la Gazment Bardhit komunikimin e vendimeve, pasi konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e përbashkët për Emri Vatën.

“Bashkëkryetar në emër të Grupit Parlamentar të PD-së është caktuar z. Oerd Bylykbashi, ndërkohë që anëtarë të këtij komisioni propozohen deputetët Dhurata Çupi, Dash Sula, Ervin Salianji, Tomorr Alizoti, Lindita Metaliaj, z. Shpëtim Idrizi, z.Fatmir Mediu dhe z. Petrit Vasili nga Partia e Lirisë.”

Bardhi sqaroi se letra dërguar kryeparlamentares Nikolla ku shprehte gatishmërinë si kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike për të diskutuar mbi zgjedhjen e Avokatit të Popullit, ishte nxitur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.