Sport

Derbi mbyllet në ‘paqe’, nuk ka gola në “Air Albania”!

Derbi i tretë sezonal Tirana – Partizani mbyllet me rrjeta të paprekura. Një sfidë emocionuese në “Air Albania”, që dhuroi thuajse gjithçka, por jo golin, aq shumë të kërkuar nga të dy kampet. I afrohet disa herë golit Xhixha, një rrezik konstant në portën e të kuqve, por futbollisti bardheblu ishte disi i pafat  në momentin e finalizimit. Dominim absolut i Tiranës në pjesën e parë, por Partizani shfaqi tjetër fytyrë në fraksionin e dytë, madje pati rastin më të pastër të sfidës me Stenio Juniorin, që në mënyrë të pabesueshme nuk arriti ta shtynte topin në rrjetë me portën bosh.

Tirana me këtë pikë të fituar mbetet +19 nga Partizani, që sigurisht ky barazim më shumë se për renditjen i bën punë për moralin.

Sa i përket vazhdimësisë së Superiores, Tirana çoi në 9 pikë diferencën me Laçin e vendit të dytë, të cilit i duhet një fitore me Kastriotin që të kthehet përsëri kërcënues për renditjen e bardhebluve. Megjithatë, këta të fundit kanë një distancë të mjaftueshme sigurie për të vazhduar të qetë në rrugën drejt titullit.

Nga ana tjetër, pika e Partizanit mund të krijojë probleme nëse njëra mes Kukësit dhe Vllaznisë fiton duelin direkt mes dy skuadrave që ndajnë me pikë të barabarta vendin e tretë. Aktualisht të kuqtë kanë 4 pikë diferencë nga këto dy skuadra, por fitorja e secilës prej tyre mund të bëjë që diferenca me vendin e tretë që çon në Europë, të shkojë në 7 pikë e të bëhet pak më e komplikuar për ta arritur.