Aktualitet Sociale

Detaje nga vdekja tragjike e 17-vjeçarit në Sarandë/ 43-vjeçari që montoi ashensorin nuk ishte i licencuar!

Një ngjarje tragjike ndodhi në qytetin e Sarandës, ku një 17-vjeçar vdiq tragjikisht pasi u zu poshtë nga ashensori, të cilit iu këput kavoja.

17-vjeçari punonte ndihmës-kamarier në lokalin ku ndodhi ngjarja, ndërsa ashensori përdorej kryesisht për transport të mallrave.

Pas ngjarjes policia arrestoi 43 vjeçarin Lulëzim Allkushi, i cili është personi që ka montuar ashensorin si edhe shpalli në kërkim pronarin e lokalit, Spiro Iljadhin.

Së fundmi mësohet se 43 vjeçari nuk ishte i licencuar për momentin e ashensorëve dhe po ashtu pas montimin, nuk kishte shkuar më për t’i bërë shërbime ashensorit që shkaktoi vdekjen e të riut.

Njoftimi i policisë:

Sarandë

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë për veprën penale ”Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasin  43 vjeç, banues në Sarandë si dhe shpallën në kërkim shtetasin, 37 vjeç, banues në Sarandë. Arrestimi i 43-vjeçarit dhe shpallja në kërkim e 37-vjeçarit u bë pasi:

Rreth orës 01:15 minuta të mëngjesit të sotëm, në lagjen “Nr. 1″, Sarandë, në lokalin në pronësi të shtetasit 37-vjeçarit, është këputur kavoja e ashensorit që përdorej kryesisht për furnizimin e lokalit, duke zënë poshtë shtetasin, 17 vjeç, (ndihmës/kamarier në këtë lokal). Për pasojë, 17-vjeçari ka humbur jetën.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se 43-vjeçari i arrestuar kishte montuar ashensorin e lokalit ndërsa 37-vjeçari i shpallur në kërkim është pronari i lokalit dhe vijon puna intensive për kapjen e tij. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” .