Bota

Dhjetëra të zhdukur në Florida nga përmbysja e një varke!

Roja Bregdetare Amerikane po kërkon 39 persona, që raportohet se janë zhdukur pas përmbysjes së një varke në brigjet e Floridës. Dyshohet se mjeti lundrues përdorej për trafikim të qenieve njerëzore.

Autoritetet thanë se morën informacion se një person kishte shpëtuar një burrë, rreth 45 milje në lindje të Fort Pierce. I mbijetuari tha se “të shtunën në mbrëmje, varka ishte nisur nga Bimini në Bahamas, por u përball me pasojat e motit të keq, para se të përmbysej”. Sipas tij, “asnjë prej personave në bordin e anijes nuk kishte jelek shpëtimi”.

Ekuipazhet ajrore dhe ekipet e tjera të Rojës Bregdetare po kërkojnë në mënyrë aktive për njerëz në ujë. Dyshohet se kemi një rast për trafikimi të qenieve njerëzore.
Zyrtarët amerikanë thanë se “do të vazhdojnë të kërkojnë edhe gjatë natës, për personat që konsiderohen të zhdukur”.

I mbijetuari i vetëm u dërgua në spital ku po trajtohet pasi nga ekspozimi i gjatë në diell është dehidratuar. Në mënyrë të vazhdueshme, trafikantët e qenieve njerëzore përdorin ishujt Bahamas pranë brigjeve të Floridës, si një pikë për të trafikuar njerëz. Shumica prej tyre vijnë nga shtete të tjera të Karaibeve siç është Haiti dhe destinacion kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, rreth 5 mijë emigrantë nga Haiti punojnë ilegalisht në Bahamas, por 20 mijë deri në 50 mijë haitianë, qëndrojnë në këtë shtet në mënyrë të jashtëligjshme. Bimini është pika më e afërt e ishujve Bahamas me Floridën, me një distancë prej 217 kilometrash.