Sport

Diego Longo ikën nga Kukësi, të hënën prezantohet trajneri i ri!

Diego Longo nuk do të jetë trajneri i Kukësit për sezonin e ardhshëm. Italiani dhe klubi i verilindorëve kanë mbyllur bashkëpunimin.

Në një postim në rrjetet sociale klubi i Kukësit falenderon Longon dhe bashkëpunëtorët e tij për punën e bërë dhe u uron suksese në vazhdim.

“FK Kukësi dhe trajneri Diego Longo kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin!

Me fundin e sezonit 2021-2022, ka përfunduar edhe kontrata e trajnerit italian dhe palët kanë vendosur të mos e vazhdojnë bashkëpunimin.

Klubi i Kukësit falënderon trajnerin Diego Longo, asistentin Amedeo Di Latte dhe trajnerin e portierëve Andrea Cardinale për kontributin e dhënë dhe ju uron suksese në karrierën e tyre.”-shkruhet në postimin e Kukësit.

Pas ndarjes nga Diego Longo, klubi i Kukësit ka gjetur menjëherë trajnerin e ri dhe ai është Skënder Gega.

Burime për “Supersport.al” bëjnë me dije se Gega do të marrë drejtimin e “verilindorëve” për sezonin e ardhshëm, mes palëve marrëveshja është arritur, ndërsa tashmë mungon vetëm zyrtarizimi i klubit. Trajneri do të prezantohet nga klubi ditën e hënë në stadiumin “Air Albania”.

Gega ka qenë në krye të Kukësit edhe në 2020-ën, duke bërë kështu një rikthim te verilindorët. Eksperienca e tij e fundit në kampionatin shqiptar, ishte gjatë këtij sezoni kur mori për pak javë drejtimin e Skënderbeut.

Ndërsa periudha më e mirë e 58-vjeçarit në Superiore ishte sezoni 2018-2019, kur fitoi titullin kampion me Partizanin.